Laboratori i kokainës në Qerek, ngarkesa e parë erdhi në Portin e Durrësit! Ja ku bëhej përpunimi i drogës

Në Shënjestër/ Dosja Hetimore


Pasi ngarkesa e parë u nis nga Republika Dominikane më 11 Maj 2024 dhe mbërriti në Portin e Durrësit më datë 17 Korrik, më 21 Gusht kjo ngarkesë u transportua në objektin magazinë godina ish-Metabo Mullet.

Por më datë 23 Shtator 2024, nga informacionet që kemi marrë del se nga Porti Caucedo në Republikën Dominikane, është nisur një tjetër kontejner me një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhësh me kripë, me vlerë blerje 20 mijë dollarë, me destinacion final Portin e Durrësit.

Ngarkesë e cila mbërriti në portin më të madh shqiptar më datë 8 Nëntor 2024. Që fillimisht kishte kaluar të gjitha procedurat doganore në Portin e Goia Tauro, në Kalabri.

Por nga hetimet e kryera u krijua bindja e arsyeshme se në brendësi të kontejnerëve të ngarkuar me lëkurë lopësh gjendet e fshehur një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike e llojit kokainë.

Ngarkesë që edhe këtë herë u tradhtua nga kërkimet e grupit kriminal, të cilët menjëherë sapo kontejneri mbërriti në Shqipëri, nisën kërkimet për të gjetur ‘acid tartarik’.

Një lloj acidi organik i bardhë, që gjendet rëndom në shumë fruta. Acidi mrekullibërës që në këtë rast do të shërbente në procesin e sintezës dhe do sillte përftimin e kokainës pasi të shkëputej nga lëkurët.

Përgjime ambientale dhe vëzhgime në terren që zbuluan njëkohësisht krahas bazave të ndryshme të shpërndara në Durrës dhe Tiranë, edhe Laboratorin e Kokainës të vendosur në fshatin Qerekë në Fushë-Krujë.

Baza të vendosura në Tiranë, në një nga zonat më chik të saj, atë të njohur si Kodra e Diellit. Aty ku banojnë politikanë dhe personazhe VIP të jetës së kryeqytetit.

Si edhe në Durrës, pranë portit… Një tjetër bazë kjo me pozita të mira logjistike.

Laboratori i sofistikuar i kokainës i ngritur në fshatin Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin të vendosura në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare.

Kryesisht pranë aeroportit më të madh të vendit si dhe pranë portit të Durrësit, zona këto që vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, por që nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar qasje në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por interesante në të gjithë këtë histori të trafikimit ndërkombëtar të lëndës narkotike, ku të përfshirë dolën shtetas shqiptarë, është vetë tipologjia e këtij grupi kriminal.

I cili sipas gjetjeve të SPAK dhe partnerëve të tij në botë, në bashkëpunim edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, që vepron ngushtësisht me organizata kriminale në Amerikën e Jugut.

Me qëllim trafikimin e kokainës në Shqipëri dhe më pas drejt Bashkimit Evropian. Gjë që u pa jo vetëm në lidhjet që grupi siguroi në Amerikën Latine, por edhe te vetë prania e disa shtetasve nga Kolumbia dhe Venezuela, të njohur për specialitetin e tyre në procesin e ndarjes së kokainës, në këtë rast nga lëkura e kriposur e gjedhëve.

Ashtu siç në fakt kishte ndodhur edhe në raste të tjera të ngjashme, të kapjes së laboratorëve të drogës në Shqipëri. Ku sërish protaganistë janë emisarë apo ekspertë të thirrur nga Amerika e Jugut për ekstraktimin e kokainës. Siç ishte edhe prania në Shqipëri e Hiëlenn Ledezma Narvaez.

41 vjeçari nga Kolumbia, që bashkë me dy venezuelianët Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano, do të bënin të mundur ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.

Por që për çudinë e të gjithëve, Narvaez nuk është thjesht një kimist, por konsiderohet si kreu i një karteli kriminal që trafikoi 1 tonë kokainë nga Kolumbia drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dhe që sipas aktkakuzës ai rezulton se mbante kontakte me shqiptarin Klodian Zaimi i njohur me nofkën ‘El Gringo’ që pastronte paratë e organizatës.

Rezident në Kolumbi, i cili që nga nëntori I vitit 2023, ndodhet i arrestuar në këtë vend, gjatë një operacioni të koduar ‘Pacifico’, të ndërrmarrë mga autoritetet kolumbiane dhe DEA amerikane

Përfshirja e kolumbianit Ledezma dhe arrestimi i tij lidhur me laboratorin e Qerekës, që dëshmon qartë se pas sipërmarrjes kriminale mund të ketë të tjerë emra dhe jo vetëm ata që kanë përfunduar në pranga, teksa drekonin në një lokal në fshatin Vishnje, në periferi të Tiranës.

Kjo nisur edhe nga fakti se për trafikimin e kësaj sasive të madhe kokaine, kërkohet shumë investim.

Dhe pikërisht shuma e madhe e parave e financuar për krijimin e laboratorit në fshatin Qerekë, por edhe vetë struktura njerëzore e cila u përfshi në këtë histori, tregoi vetvetiu edhe për fuqinë e grupit.

Të cilët ndërkohë po synonin të futeshin në sferat e larta të organizimit dhe përdorimit të teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës Një projeksion që nëse do të përfundonte me sukses, mund t’i siguronte këtij grupimi kriminal jo vetëm prestigj dhe besueshmëri te bosët e kokainës në Amerikën e Jugut, por edhe miliona euro fitime.

Një provë të cilën ata nuk e kaluan dot, duke përfunduar sot pas hekurave të qelisë.

Ndoshta sepse gjurmët që ata kishin lënë ishin më të mëdha se hapat që kishin hedhur deri më tani.

Gjatë sekuestrimit të laboratorit në fshatin Qerekë në Fushë-Krujë, u gjetën gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lënda narkotike.

Po kështu edhe sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.

Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal.

Çka tregon jo vetëm për përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.

Lajm, i cili mori edhe vëmendjen e Eurojust. Që i kushtoi një artikull të plotë, operacionit të ndërrmarrë nga SPAK. Ku ndër të tjera i dha një hapësirë të gjerë materialeve të gjetura në këtë laborator.

Si edhe qëllimeve të organizatës kriminale. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues si dhe shpërndarës.

Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine.

Kolumbianë dhe venezuelianë, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës. ‘Ekspertë’ që garantonin suksesin teknik të operacionit.

Aftësia e të cilëve për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si ‘lëkurat e bagëtive’ e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme