I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar diplomaten zvicerane, Livia Leu, me ç’rast kanë biseduar në lidhje me zhvillimet në rajon.

Ndër të tjera, ata e kanë prekur edhe temën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

Sipas Lajçakut, drafti i paraqitur nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.

“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i dialogut të nivelit të lartë i organizuar nga Josep Borrell dhe i asistuar nga unë, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur”.

Tutje, Lajçak ka thënë se është i që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës.

“Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka përmendur edhe faktin se palët kanë bërë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”.

Kujtojmë se ekipi menaxhues i cili e ka hartuar këtë draft statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbë, ditë më parë është shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti.