Janë me dhjetra mijëra emigrantët shqiptarë në Greqi të cilët kanë aplikuar për t’u pajisur me leje për arsye të jashtëzakonshme.
Pjesa më e madhe e tyre, ende nuk kanë marrë një përgjigje për aplikimet që kanë bërë, edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vjet që nga koha kur i dorëzuan aplikimet.
Dhe tani, në vend që shteti grek t’u kërkojë një ndjesë që i ka mbajtur varur për gjithë këtë periudhë, vjen një projektligj i ri, dispozitat e të cilit përjashtojnë nga kjo leje qëndrimi një numër mjaft të konsiderueshëm emigrantësh; disa thonë se ky numër arrin në 50.000…
Bëhet fjalë për projektligjin mbi aplikantët për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare, që është paraqitur në parlament dhe që i janë bashkangjitur dhe disa dispozita të reja që lidhen me lejet e qëndrimit.
Siç komenton Vasilis Hronopoulos, nga seksioni i të drejtave të njeriut në PASOK, “mundet që projektligji të duket se është në favor të emigrantëve, sepse thjeshtëzon më tej procedurat. Por në fakt, shumë emigrantëve do të dalin të paligjshëm”
Dispozita që “djeg” shumë emigrantë, lidhet me afatin e qëndrimit në Greqi. Me ligjin ekzistues, emigranti duhej të vërtetonte se kishte të paktën tre vjet në Greqi, si dhe të dëshmonte se kishte lidhje të forta me këtë vend.
Tani, dispozita e re, kërkon që emigranti të ketë 7 (shtatë) vjet në Greqi dhe këtë ta vërtetojë vetëm me dokumente shtetërore.
Përcakton dispozita e re:
1.Koordinatori i administratës së decentralizuar ka mundësinë që të akordojë leje qëndrimi me afat tre vjeçar, për qytetarë të vendeve të treta që banojnë në Greqi. Leja e qëndrimit mund të rinovohet për një nga arsyet që përmban Kodi i Emigracionit. Kërkesë për pajisje me leje qëndrimi ka të drejtë të depozitojë qytetari i vendit të tretë, përderisa vërteton me dokumenta shtetërorë faktin e qëndrimit në Greqi për të paktën shtatë vjet para aplikimit apo është prind i një të mituri – qytetari grek dhe që paraqet dokumenta që vërtetojnë lidhjen prind – fëmijë.
Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor dhe drejtorinë e emigracionit Athinë dhe drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahja”, na e “shkoqit” më mirë thelbin e problemit që krijon dispozita e re:
“Me dispozitat për leje të jashtëzakonshme, kanë aplikuar më shumë se 100.000 shqiptarë, që nuk kishin pasur kurrë apo e kishin humbur të drejtën për leje qëndrimi. Kur kanë aplikuar, këta mjaftonte të provonin se kishin tre vjet në Greqi dhe kjo provohej me një larmi dokumentesh, madje edhe nga privatët, siç ishin faturat e dërgesës së parave me Western Union apo Moneygram e kompani të tjera që bënin transferta parash. Tani kërkohet që kjo të bëhet vetëm me dokumenta shtetërorë. Po si mund të ketë pasur qasje në shërbimet shtetërore një emigrant që ishte i paligjshëm”.
“Por nuk është vetëm ky problemi”, vazhdon zoti Malaj, “Problemi kryesor është se tash e tutje, kërkesat për leje për arsye të jashtëzakonshme do të shqyrtohen në bazë të ligjit të ri, që përcakton shtatëvjeçar. Çka do të thotë që ata, të cilët kishin aplikuar duke pasur tre vjet qëndrim të vërtetuar në Greqi, tani do të marrin përgjigje negative dhe do të duhet të largohen nga Greqia”…
Vasili Hronopulos shton edhe një kategori tjetër:
“Ka një kategori të rinjsh, kryesisht nga Shqipëria, që u rritën në Greqi, por u larguan bashkë me prindërit për shkak të krizës, pak para se të kapnin moshën madhore. Shumë prej tyre duan që të kthehen në Greqi, sepse këtu janë mësuar të jetojnë. Ndoshta dhe nuk deshën kurrë të largoheshin prej këndej. Disa pak prej tyre, mundën në çastin e fundit të përfitonin nga Kodi i Emigracionit dhe morën sërish leje qëndrimi. Me dispozitat e ligjit të ri, “porta” për këta të rinj, mbyllet përfundimisht”.
Leje për tre vjet në vend të asaj njëvjeçare
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dispozitat kanë një favor të rëndësishëm, po vetëm për ata që do të mundin të vërtetojnë me dokumente shtetërore se kanë shtatë vjet qëndrim të vazhdueshëm në Greqi.
Leja fillestare e qëndrimit do të vlejë për tre vjet dhe jo për një vit që parashikonte ligji i mëparshëm.
Kështu, edhe pagesa ndryshon mjaft pozitivisht: Për lejen trevjeçare do të paguhet paravolo 300 euro, aq sa duhej paguar më parë për lejen një vjeçare (gjithmonë për arsye të jashtëzakonshme).
Pjesë nga projektligji i ri
TV Tribuna disponon projektligjin e ri që është paraqitur në parlament dhe ka gjasë të votohet javën e ardhshme. Shkëputëm disa fragmente që mënojmë se kanë interes të veçantë për bashkatdhetarët tanë.
1.Koordinatori i administratës së decentralizuar ka mundësinë që të akordojë leje qëndrimi me afat tre vjeçar, për qytetarë të vendeve të treta që banojnë në Greqi. Leja e qëndrimit mund të rinovohet për një nga arsyet që përmban Kodi i Emigracionit. Kërkesë për pajisje me leje qëndrimi ka të drejtë të depozitojë qytetari i vendit të tretë, përderisa vërteton me dokumenta shtetërorë faktin e qëndrimit në Greqi për të paktën shtatë vjet para aplikimit apo është prind i një të mituri – qytetari grek dhe që paraqet dokumenta që vërtetojnë lidhjen prind – fëmijë.
2……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
3.Qytetarëve nga vendet e treta, që dëshmojnë se banojnë në Greqi për të paktën shtatë vite të plota, u jepet një vërtetim i marrjes së aplikimit, ku shkruhet se ndalohet marrja e vendimit për largimin nga Greqia për periudhën që do të nevojitet për shqyrtimin e aplikimit.
4. a)…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
b. Pagesa e një tarife (parovolo) prej 300 (treqind) euro.
5.Lejet e qëndrimit sipas këtij neni, i ofrojnë poseduesit të drejtën për punë të varur dhe në ofrimin e shërbimeve apo të veprës. E drejta për ushtrimin e aktivitetit ekonomik të pavarur jepet vetëm në rastin që poseduesi kishte më përpara leje qëndrimi që ia ofronte këtë të drejtë dhe kur veprimtaria vazhdon të funksionojë.