Lista Serbe ka marrë vendim që të dalë nga Qeveria e Kosovës. Këtë vendim e ka kumtuar kryetari i Listës, Goran Rakiq pas takimit që përfaqësuesit e këtij subjekti politik zhvilluan në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për këtë LDK ka dërguar një reagim ku thuhet se veprimet e tyre do të jenë në të matura dhe në interesin nacional të Kosovës. Nuk bëhet thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Sipas tyre, asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.
“Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Gazeta Express.
“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës.
LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.
Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, përfundon komunikata.