Largimi vullnetarë i ushtarëve të FSK-së, njohësit e opozita e vlerësojnë shqetësues

Largimi vullnetar i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës po konsiderohet shqetësues nga njohës të sigurisë dhe përfaqësues të subjekteve opozitare, derisa nga ministria e Mbrojtjes thanë se largimi nuk mund të ketë ndikim në operacionalitetin e FSK-së duke iu referuar shifrave të larta të rekturimeve.

Gjatë këtij viti rreth 119 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, vullnetarisht e kanë lëshuar ushtrinë. Kështu kishte deklaruar ministri i Mbrojtjes gjatë raportimit para deputetëve në komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Lidhur me këto shifra, partitë parlamentare opozitare, e ish-kryeinspektori i AKI-së, vlerësuan se ky është dështim i Qeverisë Kurti, pasi sipas tyre nuk po munden tua plotësojnë kushtet ushtarëve të FSK-së.

Sipas tyre, largimi vullnetarë i tyre nga FSK-ja, nuk ka ndodhur për shkak të ushqimit e as bashkimit familjarë siç po potencohet, por për shkaqe të mos mirëqenies të tyre, e pagës së ulët.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka dhënë një shembull të një ushtari të FSK-së, i cili është i biri i një dëshmori.

Berisha, ka thënë për KosovaPress se shumica e ushtarëve janë të betuar mbi gjakun e prindërve të tyre, duke thënë se nuk mund ta imagjinojë se si një ushtarë i tillë detyrohet ta lë ëndrrën e tij dhe të punojë si sigurim në diskotekë apo si taksist.

“Kemi shumë ushtarë, rast konkret Agron Hasanaj, djali i vetëm, i prindit të vet dëshmorë… Betimi i tij, është mbi gjakun e babait të tij, e kësi raste ka shumë brenda forcës. Imagjinojeni, kur një pjesëtarë i tillë, vjen në situatë ta lëshojë forcën, ta braktisë ata që ka pasur ideal dhe ëndërr të prindit dëshmorë. Nuk ka ik asnjë ushtarë për shkak të ushqimit, sepse janë në gjendje ta marrin vet, se i kualifikon patriotizmi, nuk bien poshtë për asgjë, as nuk kanë ikur se u duhet bashkim familjarë. Ushtria është karrierë, lidhet me çështjen e gradimit me procedura dhe persona jo meritorë…Çfarë ushtari profesionit, ai që detyrohet që pas orarit të punës, të punojë sigurim në diskotekë, taksi apo të shpërndajë pica e ushqime, pra këta e kanë vra dinjitetin”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka shtuar se Qeveria është në gjendje të demolojë strukturalisht ekzistencën e shtetit të Kosovës për interesa puro personale dhe hajni.

“Shohim rrugës ushtarë të Kosovës, që me auto stop provojnë të shkojnë në kazerma. Janë në gjendje me demolua strukturalisht ekzistencën e shtetit të Kosovës, për interesa puro personale dhe të hajnisë. Ato çka kemi pa ne në rastin e ushqimit, janë përpjekje që ata edhe procesin e furnizimit me ushqim, ta bëjnë në mënyrën sekrete, që i bie mundësi për të vjedhë…Kush është ky person, a është kryeministri i këtij vendi apo s’është, apo është shërbim që të kryej misionin ndaj dikujt tjetër”, ka shtuar Selmanaj.

Po ashtu, ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka theksuar se largimi vullnetarë i pjesëtarëve të FSK-së është kthyer në një lloj trendi, akt i cili duhet të jetë shqetësues për ministrinë e Mbrojtjes dhe Qeverinë e Kosovës.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese, se largimi vullnetarë i pjesëtarëve të FSK-së, është kthyer në një lloj trendi. Raste individuale ka pasur, ka dhe do të ketë por në raste kur kthehet në trend, kjo nënkupton një alarm për ministrinë e Mbrojtjes, Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës, që të gjejnë formën se si të mbajnë, jo vetëm patriotizmin dhe atë ndjenjën patriotike, që pa asnjë dilemë pjesëtaret e FSK-së e kanë, por edhe plotësimin e kushteve që detyra e tyre të kryhet me ëtet”, ka theksuar Ramadani.

E nga ana e ministrisë së Mbrojtjes, këshilltarja politike e ministrit Maqedoncit, Liridona Gashi ka potencuar se jo të gjitha daljet janë për arsye të pagave, sepse pagat veçse janë rritur por, shkak sipas saj, është edhe çështja e bashkimit familjarë apo pagat më të lartë në sektorin privat.

“Jo të gjitha daljet janë për arsye të pagave, sepse pagat veçse janë rritur. Nganjëherë, edhe çështja e bashkimit familjarë ose edhe pagat më të larta, që i ofron sektori privat… Në operacionalitetin e FSK-së, nuk mund të ketë ndikim, për shkak se rekrutime të cilat janë bërë gjatë këtij 3 vjeçari, janë zakonisht në shifra më të larta, sesa daljet, janë 2 mijë e 271 pjesëtarë të cilët janë rekrutuar”, ka potencuar Gashi.

Javëve të fundit, ushtarët e FSK-së janë përballur me probleme të ushqimit, pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar./kp/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme