Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov nuk mundi të ulet sot në Beograd. Kjo për faktin se tre shtetet, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bullgaria nuk e lejuan avionin rus të kalonte në hapësirën e tyre ajrore.
Kjo gjë e ka inatosur krahun e djathtë të Vladimir Putinit, i cili ka sulmuar Ukrainën duke vrarë mijëra njerëz të pafajshëm. Në një konferencë online të transmetuar nga Moska, Lavrov e quajti ‘të paimagjinueshëm’ vendimin e disa vendeve për t’i ndaluar atij të fluturojë mbi territorin e tyre dhe të vijë në Serbi.
‘Ndodhi diçka e paimagjinueshme. Shtetit sovran i është hequr e drejta për të ndjekur politikën e jashtme. Aktivitetet ndërkombëtare të Serbisë në drejtimin rus janë bllokuar”, tha Lavrov në një konferencë për media pas anulimit të vizitës së tij në Serbi.
Duke folur për Aleksandër Vuçiç dhe Serbinë, Lavrov u shpreh se Rusia do të vazhdojë të mbështesë këta. Ministri i Jashtëm rus, ka shprehur mbështetjen për projektin e ‘Ballkanit të Hapur’, që ai e cilëson si një nismë e Aleksandër Vuçiç.
‘Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur’- tha ministri i Jashtëm rus.
Lavrov deklaroi se Brukseli nuk dëshiron të sigurojë një platformë për Rusinë në Beograd që Moska të paraqesë qëndrimin e saj për një sërë çështjesh rajonale.
Ai vlerësoi gjithashtu se sjellja e Evropës e bën më të vështirë situatën ekonomike për qytetarët e saj.
© SYRI.net