Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thirrur mbledhjen e Këshillit Drejtues.
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se në këtë takim do të bëhet analiza e përgjithshme e rezultateve dhe sondazheve të fundit të partisë.
“Sot është takimi i dytë i radhës i Këshillit të Përgjithshëm të ri i cili është votuar nga Kuvendi i LDK-së më 3 gusht pas takimit konstituiv që ishte para 10 ditëve apo 2 javëve. Kësaj radhe do të diskutojmë do të bëjmë një analizë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017 dhe do të bëjmë një analizë të sondazheve dhe të perceptimit të LDK-së në opinion me sondazhet e fundit që kanë dalë në muajin korrik dhe gusht”, tha Mustafa.
Ai tha se sot do të zgjidhet kryesia e re e LDK-së.
“Njëkohësisht do të bëjmë votimin nga Këshilli i Përgjithshëm i Kryesisë të LDK, pra do të kemi një kryesi te re”, tha ai.
Mustafa tha se nuk do të diskutohet për zgjedhjet e vendit dhe koalicionet e mundshme, për këtë ai tha se do të ketë një takim tjetër.
“Sa i përket koalicioneve të mundshme apo mandatarit të listës kjo nuk do te diskutohet në këtë takim, do të kemi një takim të radhës gjatë ditëve në vijim dhe do të diskutohet saktësisht kush di të jetë mandatari i listës së LDK-së dhe potencialisht do të diskutojmë edhe për koalicionet e mundshme me partitë e tjera politike në Kosovë”, tha ai.