LDK e VV: Haradinaj po e kthen Kosovën para vitit 2008

Kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka hapur edhe një front të ri. Kësaj here me opozitën, transmeton Gazeta Metro.

Ideja e tij për organizimin e një Konference Ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje përfundimtare për Kosovën, po kundërshtohet nga dy partitë e mëdha opozitare, LDK e Vetëvendosje. Kjo e dyta, madje e ka cilësuar një gjë të tillë, si kthim para vitit 2008, respektivisht para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Haradinaj u ka dërguar letër vendeve të Quinitit, ku, në mesin e shumë kushteve të tjera ka përmendur edhe një Konferencë Ndërkombëtare. E pikërisht këtë letër, opozita po e cilëson si të rrezikshme dhe të pamenduar mirë.

Shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë për KTV-në se thirrja e një konference ndërkombëtare për Kosovën, do ta vinte në diskutim statusin e saj.

“Faktikisht vet ideja e Konferencës Ndërkombëtare do të ishte e rrezikshme sepse do ta vendoste në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës, do ta kategorizonte atë si një problem të pazgjidhur mes shteteve të botës, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë mirëpo si palë kryesore Kosova dhe Serbia, si dhe do ta kthente Kosovën para vitit 2008”, ka thënë Konjufca.

Edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, propozimi i Qeverisë për një konferencë të tillë është i papranueshëm. Deputeti i kësaj partie, Lutfi Zharku, thotë se është vështirë të vlerësohet suksesin e një konference për 14 ditë.

“Nuk e di deri ku ka avancuar procesi i dialogut, nëse ka pasu dialog, por po i referohem deklaratave publike të dy bashkëkryesuesve të Ekipit negociator që thonë se nuk kanë gjetur asgjë të shkruar”, ka thënë Zharku.

Vetë kreu i ekzekutivit, nga ana e tjetër, i ka cilësuar si kundër interesave të Kosovës ata që kundërshtojnë idenë e tij. Në një paraqitje publike gjatë ditës ai ka qenë i ashpër ndaj atyre që siç ka thënë mund të mos pajtohen me pikat si kushte që Qeveria ia ka vendosur SHBA-së e BE-së në këmbim të heqjes së taksës.

“Pra kushdo që ka problem, si i brendshëm si i jashtëm, del kundër të drejtës dhe Kushtetutës sonë dhe krejt çka kemi. Ne nuk kemi mirëkuptim për dikë që ka problem me këto kritere që i kemi nxjerrë aty”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

Përplasja mes pushtetit e opozitës për këtë temë vazhdoi edhe në mbrëmje, në studion e “Rubikon-it” në KTV.

Bajram Gecaj i LDK-së, tha aty se letra e Haradinajt drejtuar vendeve të Quintit është ultimatum.

“Ajo iu jep atyre ultimatum se si duhet të sillen në mënyrë që ne të heqim taksën”, ka thënë ai.

Por me këtë s’është pajtuar aty Halil Matoshi, njëri nga 35 këshilltarët e kryeministrit Haradinaj. Ai tha se nuk bëhet fjalë për ultimatum, por vetëm për një ritheksim i garancive mbi të cilat Kosova është shpallur shtet.

“Nëse në atë letër ka diçka ultimative atëherë ose unë ose Gecaj nuk dimë shkrim e lexim. Në letrën e kryeministrit ritheksohen garancitë se në dialog nuk flitet për statusin, për kufijtë, për ndërrim, ndarje apo shkëmbim”, ka thënë Matoshi në Rubikon të KTV-së.

Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj në letrën e dërguar dje ambasadorëve të Quint-it, ka numëruar kushtet të cilat duhet të plotësohen në mënyrë që Qeveria ta pezullojë taksën 100% ndaj Serbisë.

Pika e parë e kësaj letre shpreh kërkesën e Haradinajt që “Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktikë për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve:

“SHBA-të dhe BE-ja do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë: Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre; Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Ai do që BE-ja do të japë zotime shtesë publike dhe të garantojë se: Do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës, si dhe do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës. Letrën e plotë të Haradinajt mund ta lexoni këtu.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme