LDK e VV, kundër statutit të Trepçës të miratuar nga Qeveria

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se miratimi i Statutit të Trepçës nga ana e Qeverisë së Kosovës, pa i marrë parasysh vërejtjet e Sindikatës, është i dëmshëm.

Avdullah Hoti, kryetar i GP të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Ligji për Trepçën është miratuar më 2016 dhe thotë se për shkak të zhvillimeve në këtë ndërmarrje, ky ligj e shpëtoi Trepçën nga shkuarja në likuidim.

Hoti thotë se në bazë të këtij ligji, 80% e aseteve janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe 20% në pronësi të punëtorëve dhe se kjo është formulë që siguron një kujdes të duhur për të gjithë brezat e minatorëve, që kanë punuar në këtë ndërmarrje të rëndësisë strategjike dhe emocionale për Kosovës.

Ai thekson se në nenin 6 të këtij ligji specifikohet se statuti i Trepçës propozohet nga Bordi Mbikëqyrës dhe miratohet nga aksionarët pas aprovimit në Kuvendin e Kosovës.

“Javën që shkoi Qeveria e ka miratuar statutin e Trepçës dhe e ka përcjellë në Kuvend për aprovim. Është e qartë se ky statut nuk është përgatitur në konsultim të ngushtë me punëtorët, që mbajnë 20% të aksioneve. Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësime serioze lidhur me këtë statut. Vërejtjet e tyre janë në dy çështje: e para, problemet sociale të punëtorëve dhe e dyta, mos përfshirja e disa aseteve shumë të rëndësishme të Trepçës në këtë statut”, ka thënë Hoti, raporton Koha.net.

Sipas tij, vërejtja e dytë e Sindikatës është shumë serioze dhe “çuditem si mundet dikush të gjejë lirinë që të lërë jashtë statutit të Trepçës asete të rëndësishme”.

“Sot në Kuvend kam kërkuar që Komisioni për Zhvillim Ekonomik të ftojë në diskutim Bordit, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Trepçës për të shqyrtuar këto vërejtje. Kjo na mundëson që para se të vije Statuti në Kuvend për aprovim ne të marrim parasysh të gjitha sugjerimet e palëve. Ne duhet ta trajtojmë me shumë kujdes këtë çështje. Nuk mund ta lëmë këtë çështje në duar të personave të papërgjegjshëm”, deklaroi Hoti.

Në kundërshtim të këtij veprimi qeveritar ka dalë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një konferencë për media, kryetari i VV-së Albin Kurti dhe drejtuesi i Komitetit për Industri, Nazmi Mikullovci, paraqitën vërejtjet dhe shqetësimin e Lëvizjes në lidhje me statutin e ri të ndërmarrjes Trepça miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Kurti foli për rëndësinë që Trepça ka në zhvillimin e Kosovës, rëndësi kjo që, sipas tij, aspak nuk shprehet në statutin e ri të kësaj ndërmarrje.

“Për ne, Trepça është tri gjëra kryesore: e para kapacitet industrial prodhues, e dyta, pasuri minerare dhe e treta organizatë e punëtorëve. Statuti i ri, është i tillë që, në fakt nuk është përpiluar nga bordi mbikëqyrës i Trepçës siç do të duhej por ka ardhur aty i servuar nga Qeveria. Asetet të cilat përfshihen janë shumë të kufizuara: janë 3 miniera me flotacionet e tyre dhe eventualisht, vetëm pas një studimi të fizibilitetit të tyre janë edhe metalurgjia e plumbit, e zinkut dhe industria kimike që nuk është e sigurtë se në fund do të jenë të përfshira në ndërmarrjen e re publike “Trepça sh.a.”, tha Albin Kurti.

Drejtuesi i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje, Nazmi Mikullovci foli për shkatërrimin sistematik që i është bërë Trepçës nga Qeveritë që vetëm kanë ndërruar fytyrat dhe strategjitë por gjithnjë në dëm të ndërmarrjes e së fundi edhe përmes hartimit të statutit të ri që tenton t’i jep goditjen përfundimtare pasurisë më të madhe të Republikës së Kosovës.

“Me këtë statut Trepçës do t’i ndërpritet zhvillimi, duke e humbur industrinë dhe duke mbetur vetëm në bujqësi e xehetari. Në asnjë vend nuk përmenden pasuritë dhe investimet e Trepçës”, tha Mikullovci.

Poashtu ai theksoi edhe faktin se ky statut i ri rregullon zgjedhjen e Bordit, që ka 9 anëtarë, 3 prej të cilëve thuhet se duhet të jenë serbë, mirëpo po të njëjtit kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij bordi. Kësisoj qëllimi dhe rezultati i këtij ligji të ri do të jetë ndarja e Trepçës.

Ai shtoi se në statut gjithashtu nuk përmenden fare mijëra hektarë tokë, objekte të ndryshme në Kosovë dhe vende të ish-Jugosllavisë, pasuri këto të ndërmarrjes Trepça, të cilat janë duke shkuar drejt likuidimit.

Në lidhje me këtë çështje, Lëvizja Vetëvendosje tha se nesër do ta mbajë një tryezë me ekspertë dhe njohës të kësaj fushe për të diskutuar edhe më tutje për zhvillimin dhe mbrojtjen e Trepçës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme