Ai thotë se pas vlerësimit të punës së kësaj Qeverie është i bindur se mocioni i mosbesimit është i pashmangshëm. Në anën tjetër, nga lëvizja “Vetëvendosje” thonë se thirrjet e nënkryetarit të LDK-së për mocion nuk janë diskutuar në LVV. Sipas tyre, iniciativat e LDK-së nuk do të jenë arsye që “Vetëvendosja” t’i bashkohet rrëzimit të Qeverisë. Ata thonë se Kryesia e “Vetëvendosjes” do ta bëjë vlerësimin për këtë qeveri para se të marrë çdo vendim. Ndërkaq njohësit e çështjeve politike nuk po i konsiderojnë serioze deklaratat e LDK-së për mocion. Sipas tyre, LDK-ja po e bën këtë për ta marrë primatin në opozitë.
Haziri: Mocioni është i pashmangshëm
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se pas 100-ditëshit të qeverisjes “Haradinaj” mocioni i mosbesimit është i pashmangshëm. “Definitivisht dëshmoi qartë se sa është e rëndësishme t’i shohim zhvillimet dramatike që kanë ndodhur pas themelimit të kësaj qeverie. Unë jam pro një bindjeje politike, e cila dëshmon qartë që mocioni është i paanashkaluar dhe ne si LDK jemi unikë dhe në momentin që vlerësohet do të ngrihet mocioni”, ka thënë Haziri për “Zërin”. Ai tha se arsyet për rrëzimin e kësaj qeverie janë shpenzimet e mëdha që po i bën shteti. “Është një qeveri e cila ka arritur të krijojë vetëm shpenzime për shtetin dhe është thyer një rekord i zi”, ka thënë ai.
Ndërsa për LVV-në tha se është çështje e tyre nëse do ta përkrahin një nismë të tillë nga LDK-ja apo jo.
Kurse Haxhi Avdyli, deputet i LDK-së, ka numëruar dështimet e kësaj qeverie dhe arsyet pse duhet të ngrihet mocion ndaj kësaj qeverie. “Nuk janë realizuar ato vendimmarrjet e mëdha për të cilat thoshin se po i mungojnë qeverisë “Mustafa”. Kjo qeveri as afër nuk është për vendime të mëdha.
Në të njëjtën kohë edhe frytet e punës kjo qeveri i ka nga puna e Qeverisë së kaluar, pastaj dëmi që po ia bën ekonomisë së Kosovës me krijimin e një qeverie megalomane e me plot shpenzime, të cilat po e ngarkojnë buxhetin, pastaj agjenda legjislative që do të duhej të dorëzohej tek Kuvendi, dështimi në aspektin ndërkombëtar, mosanëtarësimi në strukturat e ndryshme ndërkombëtare, si në UNESCO, në INTERPOL e në shumë të tjera. Mungesa e njohjeve dhe e vizitave të tyre nëpër institucione ndërkombëtare. Nuk na ka rastisur ta shohim këtë kryeministër që ta ketë një pritje nga ndonjë shtet evropian. Pra, ka shumë dështime dhe mendoj që kjo Qeveri do ta “hajë kokën e vet” dhe ky koalicion ka për ta rrëzuar vetveten”, ka thënë Avdyli.