Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit njëherësh ministrit të Diasporës Dardan Gashi, për gjuajtje me armë në odën e Fatmir Limajt, ku po festohej për lirimin e tij nga akuzat për korrupsion.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti në një konferencë për media ka njoftuar se GP i LDK-së ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë të kryeministrit Ramush Haradinaj, lidhur me siç tha ai të shtirjes me armë dhe sjelljen e pahijshme të zyrtarëve të lartë të Qeverisë përkatësisht zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, Dardan Gashi.
‘Ne vlerësojmë se ajo sjellje bie ndesh me kodin penal të Republikës së Kosovës. Ne do të kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të votojë për shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, z Dardan Gashi’ tha Hoti.