Pas diskutimit të sotshëm në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit të Buxhetit për vitin 2018, Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes një komunikate ka shprehur qëndrimin e këtij subjekti politik opozitar, duke u deklaruar se nuk do ta votojë. Këtë qëndrim ai ky grup e arsyetuar me një varg të dhënash.
Po e botojmë të plotë qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së.
Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LDK-së lidhur me Projektligjin e Buxhetit për 2018
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka analizuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2018. Është për keqardhje që pas tri viteve të përmirësimit të strukturës së buxhetit, kur ka pasur shumë më tepër investime kapitale dhe program të qartë të kursimeve, një planifikim buxhetor në funksion të objektivave zhvillimore, që është vlerësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Komisioni Evropian, Buxheti i vitit 2018 degradon dhe e kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor, një strukturë jo adekuate të buxhetit dhe një planifikim buxhetor i udhëhequr nga motive provinciale politike.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti, ka dhënë këto arsye:
E para, ky buxhet që na prezantohet sot nuk buron dhe nuk ka lidhje me Programin Qeverisës 2017-2021. Në fushatë është premtuar rritje ekonomike 8%. Në faqen 4 të Programit Qeverisës, rritja ekonomike thuhet se do të arrijë në 7% në fund të mandatit qeverisës. Ndërkaq, në këtë buxhet, rritja ekonomike parashihet 4.6% për 2018, 4.9% për 2019 dhe 5.3% për 2020. Kur do të arrihet norma prej 7% apo 8% siç është premtuar? Ju garantoj se jo me këtë Qeveri. Prandaj, deklarimi në Programin Qeverisës 2017-2021 se buxheti do të adresojë prioritetet strategjikë është frazë boshe dhe mashtrim.
E dyta, kur është aprovuar buxheti i vitit 2017 në dhjetor të vitit të kaluar, deputetë të PDK-së dhe të opozitës së atëhershme e kanë kritikuar buxhetin 2 miliardë euro se bazohet në financim nga huamarrja dhe nga mjetet e AKP-së. Ai buxhet kishte mbështetjen e plotë të FMN-së. Tash Kuvendit të Kosovës i prezantohet një buxhet që përfshinë këto burime të financimit. Kjo qasje e këtyre deputetëve e bënë të qartë se kundërshtimi i atëhershëm ka qenë i rrejshëm dhe për motive të ulëta politike.
E treta, ky është buxheti me rritje më të vogël të të hyrave që kemi pasur për shumë vite me radhë. Buxhetet e Qeverisë Mustafa kanë pasur rritje të të hyrave rreth 10% në baza vjetore. Ndërkaq, me këtë buxhet, në vitin 2018 rritja e të hyrave është vetëm 6%. Më lejoni të jap një fakt tjetër për të hyrat buxhetore. Gjatë mandatit të Qeverisë Mustafa, të hyrat tatimore janë rritur afër 400 milion euro krahasuar me gjendjen e trashëguar nga viti 2014. Kjo është një rritje prej afër 30%. Ndërkaq kjo qeveri, në tri vitet e ardhshme, do të rrisë të hyrat buxhetore vetëm me 17%. Në Qeverinë Mustafa, të hyrat nga tantiemat u patën rritur për 22% për shkak të menaxhimit më të mirë. Kjo Qeveri, do të ketë 0% rritje të të hyrave nga ky burim. Kjo është e natyrshme me qasjen për falje të borxheve pa asnjë bazë ligjore që po aplikon kjo Qeveri. Ky nuk është planifikim dhe menaxhim buxhetor për të cilin ka nevojë Kosova.
E katërta, ky buxhet dëmton bizneset dhe investimet që do të ndodhin në ekonomi. Ju informoj se norma reale e investimeve në vitin 2014 ka qenë negative me -5%. Gjatë Qeverisë Mustafa, norma reale e investimeve ka arritur në 11.3% më 2015, 10.4% më 2016 dhe 13.9% më 2017. Ndërkaq, kjo qeveri me këtë buxhet, bënë që trendi i rritjes së investimeve të përgjysmohet në vetëm 5.6% më 2018. Edhe në vitin 2020, nuk arrihet norma e rritjes së investimeve që është sivjet. Me këtë lloj buxheti, zhvillim ekonomik është e natyrshme që norma e rritje së eksporteve të përgjysmoen nga 5.4% sa është sivjet, në 2.5 në vitin e ardhshëm. Edhe në vitin 2020, norma e rritjes së eksporteve nuk e tejkalon normën e rritjes që është sivjet. Kështu maten efektet e planifikimit buxhetor, nuk ka mënyrë tjetër.
Tek shpenzimet shpërfaqen të gjitha dobësitë e këtij buxheti, shpërfaqet mungesa e guximit profesional për të planifikuar objektiva ambicioze, por të realizueshme. Por, mbi të gjitha, shpërfaqet mungesa e vizionit se kah duhet ta orientojmë ekonominë dhe shoqërinë kosovare në vitet që vijnë.
Për informimin e deputetëve dhe të qytetarëve, Qeveria e kaluar i ka rritur shpenzimet buxhetore për 521 mil euro krahasuar me gjendjen e trashëguar më 2014, që është një rritjen prej 35%. Dhe kjo është arritur duke e përmirësuar strukturën e buxhetit, me shumë më tepër investime kapitale dhe duke mos e rritur ngarkesën për qytetarë dhe biznese. Kjo qeveri, vitin e ardhshëm i rrit shpenzimet vetëm 4%. Më 2020, shpenzimet rriten vetëm me 14% krahasuar me vitin 2017.
Investimet kapitale, më 2018 do të jenë më të vogla se sivjet. Kjo do ta përkeqësojë strukturën e buxhetit. Pjesëmarrja e investimeve kapitale në shpenzimet totale buxhetore do të bie nga 36%, sa është sivjet, në 32%. Plot projekte kapitale nuk janë kapitale për nga natyre e tyre. Për shembull, projekti “Inventarizimi i tokave bujqësore” në Ministrinë e Bujqësisë në kuadër të Institutit Bujqësor me kod 15522.
Shpenzimet për paga, në Qeverinë Mustafa e kemi krijuar bazën ligjore për rritje të pagave çdo vit, duke filluar nga janari 2018, në përputhje me normën e rritjes ekonomike. Për vitin 2017, rritja ekonomike pritet të jetë 4.3%, ndërkaq për 2018 sipas Qeverisë do të jetë 4.6%. Por, kjo Qeveri po e shkel këtë ligj. Sepse, me këtë buxhet, pagat nuk mund të rritet as me 4%. Rritja e buxhetit për paga, nga 572 mil në 589 mil, është vetëm 17 mil euro apo 2.9%. Për më tepër, me buxhetin e vitit 2018 është paraparë rritja e punësimit në sektorin publik me 1,050 të punësuar. Me një pagë mesatare, duke përfshirë tatimet dhe kontributet pensionale, prej rreth 550 euro, rreth 7 mil euro janë vetëm për punësimin e ri. Pra, mbesin vetëm 10 mil euro për rritje të pagave. Prandaj, ky nuk është planifikim buxhetor, është mashtrim. Duhet ta dinë taksapaguesit kosovarë se vetëm punësimi i rreth 70 zëvendës ministrave kushton rreth 3.5 mil euro. Llogariteni vetë këtë. Janë 70 zëvendësministra me nga 3 veta staf përcjellës secili, me veturë dhe shpenzime të reprezentacionit. Për ilustrim, për sigurime shëndetësore Qeveria ka ndarë një kontingjencë prej 3 mil euro, që është më pak se kostoja e zëvendësministrave.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime, kjo qeveri tash e kthen praktikën e Qeverive deri në vitin 2014. Nuk ka në buxhet asnjë plan të kursimeve. Dhe kjo fjalë as që zihet në gojë në krejt dokumentin e buxhetit. Buxheti për mallra dhe shërbime rritet për 17%. Dhe askund nuk arsyetohet. Në Qeverinë Mustafa, ka pasur një plan të qartë të kursimeve në mallra dhe shërbime.
Subvencionet rriten ndejshëm, por jo për bujqësi. Bujqit prapë do të marrin njësoj subvencione. Premtimet për rritje të subvencioneve gjatë fushatës kanë qenë mashtrim. Do të rritet skema e veteranëve të luftës në 73 mil euro, edhe pse janë paraparë vetëm 58 mil. Kjo skemë po absorbon edhe mjetet për pensionim të parakohshëm të policisë, të cilat mjete tash më nuk figurojnë në buxhet. Premtimet për pagesë të pensioneve të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës mbesin vetëm mashtrim. Buxheti prej 1 mil euro për këtë kategori është i papërfillshëm, pasi mund të ofrohet pension mujor vetëm për 300 persona.
Ekziston një problem shumë i madh në këtë buxhet që mund të prodhojë pasoja ligjore dhe ta dëmtojë buxhetin në të ardhmen përmes vendimeve gjyqësore. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se buxheti ka historik, nuk mund të bëhen prerje siç janë bërë në këtë buxhet. Nuk mundet të përdoret buxheti i Republikës së Kosovës për të financuar interesa të ngushta elektorale të partive në pushtet. Është shqetësues tendenca për të orientuar buxhetin në komuna të caktuara që qeverisen nga partitë në pushtet.
Me këtë buxhet janë hequr projektet, ose është shkurtuar buxheti për projektet e nisura në dy vitet e fundit nga komunat përmes mjeteve të ministrive të linjës, bazuar në memorandumet e bashkëpunimit. Për shembull, në rastin e Pejës janë hequr komplet projektet me memorandume të bashkëpunimit. Një kontratë e nënshkruar që kushton 1 milion euro është buxhetuar vetëm 100,000 euro. E njëjta situatë është edhe për projektet në komunën e Vitisë, Podujevës dhe komuna të tjera. Ata që po fusin duart në buxhet në këtë mënyrë, ta dinë se po bëjnë shkelje të ligjit dhe mund ta dëmtojnë buxhetin në të ardhmen përmes vendimeve gjyqësore që mund të rezultojnë pasi kontratat e nënshkruara kanë krijuar obligime ligjore. Ne kërkojmë që të gjitha ato memorandume të nënshkruara bazuar në ligjin e buxhetit për vitin 2017, të reflektohen plotësisht në buxhetin e vitit 2018. Për më tepër, me këtë buxhet dëmtohen projektet strategjike infrastrukturore të nisura tashmë, siç është autostrada për Gjilan që lidh Luginën e Preshevës me kryeqytetin, rruga për Podujevë dhe projekte të tjera.
Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të ngritur kapacitetet e nevojshme për shndërrim në ushtri të Kosovës.
Në fushën e drejtësisë, në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin Prokurorial, punësimi i ri është vetëm 260 persona, e jo 600 siç paraqitet në dokumentin përcjellës të këtij buxheti në faqe 16.
Në shëndetësi, projekti kryesor që duhet të realizohet për të siguruar financim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të shëndetësisë lidhet me sigurimet shëndetësore. Ne jemi të shqetësuar me heqjen nga prioriteti të këtij projekti madhor. Vetëm 3 mil euro duket se janë planifikuar për këtë qëllim në Ministrinë e Financave si kontingjencë.
Në arsim, po kthehet praktika e keqe e së kaluarës, ku nisen objekte shkollore por nuk përfundohen as për 5 vjet. Kështu, janë paraparë 9 shkolla të reja, por që nuk përfundojnë as në vitin 2020.
Buxheti për shpronësime, është zvogëluar në 18 mil euro nga 30 mil sa ka qenë. Duhet ta dinë qytetarët se me këtë buxhet nuk mund të kompensohen pronat e tyre që merren për autostradë ose për projekte të tjera dhe kjo është e papërgjegjshme.
Ministritë e reja do t’u kushtojnë miliona euro qytetarëve të vendit.
Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të kushtojë afër 10 milionë (saktësisht 9.8 mil). Do të ketë 52 zyrtarë që nuk do të kenë çfarë të punojnë, as vetë ministri nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë. Ministri do të ketë 7 mil buxhet për të subvencionuar idetë inovative. Krejt kjo ministri është keqpërdorim i mjeteve buxhetore, duke pasur Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që ka përgatitur strategjinë e inovacionit, duke pasur Agjencinë për Promovim të Investimeve, duke pasur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të promovuar inkubatorët e biznesit dhe zonat ekonomike. Duke pasur Ministrinë e Arsimit, kjo ministri ndan 300,000 euro për pajisje të Teknologjisë Informative për shkolla të mesme, ndan 250,000 euro për pajisje laboratorike për Universitetet, po ashtu edhe nja 150,000 për vetura për Ministrin dhe zëvendësministrat.
Ministria e Zhvillimit Rajonal do të kushtojë 4.1 mil euro dhe do të ketë 54 të punësuar. Janë ndarë 2 mil për “Programin për Zhvillim Rajonal”, vetëm kaq, nuk dihet për cilat rajone dhe pse duhet të bëhen investime në baza rajonale në Kosovës. Megjithatë, Ministrit Rasim Demiraj nuk do t’i blihet veturë sikur Ministrit Beqaj. Askush nuk e di, as vetë Kryeministri, se çfarë do të financojë kjo ministri, cilat rajone, me çfarë qëllimi. Kosova është territor unik. Nevojat që kanë komunat për infrastrukturë rrugore, arsimore, shëndetësore, ambientale etj, mbulohen përmes ministrive të linjës. Politikisht e kemi evituar këtë lloj rajonalizimi të Kosovës nga viti 1999 për të evituar fragmentarizmin e organizimit administrativ dhe politik të Kosovës. Tash Kryeministri Haradinaj krijon precedent të rrezikshëm.
Rezerva buxhetore planifikohet 4.8 mil euro, ndërkaq vetëm për dy muaj Z.Haradinaj ka ndarë 2.5 mil euro mjete nga rezerva.
Për të gjitha këto arsye, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të përkrahë këtë buxhet. Lidhja Demokratike e Kosovës e kryeson Komisionin për Buxhet dhe Financa. Deputetët tanë në këtë komision do të jenë shumë të kujdesshëm për të shqyrtuar të gjitha kërkesat për amandamentim që mund të vijnë nga deputetët dhe nga institucionet e ndryshme. Ne do të kujdesemi që procesi i amandamentimit të këtij projektligji të jetë plotësisht transpranet. Do të bëjmë amendamentet tona për të korrektuar këtë draft buxhet. Në diskutimet në vijim, deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së do të japin vlerësimet e tyre sektoriale për fushat që mbulojnë.