LDK ose në pushtet me Vetëvendosjen, ose në opozitë me PDK-në

Xhevdet Pozhari

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor në LDK vëmendja është drejtuar kah kjo parti e cila rrugëtimin e saj politik e nisi me Ibrahim Rugovën në krye, e vazhdoi me Fatmir Sejdiun, ndërsa aktualisht udhëhiqet nga Isa Mustafa, njeriu i cili përflitet se mund të jetë edhe kryetari i ardhshëm “konsensual” i kësaj partie. Emrat që pretendojnë pozitën e të parit janë të mbyllur për publikun, sipas rregullores së brendshme të kësaj partie.

Gara për kryetar të LDK-së dhe zgjedhja e strukturave të reja pritet të ketë konsekuenca edhe përtej kësaj partie, sidomos kur zgjedhjet e reja janë në prag pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Zgjedhjet përbrenda këtij subjekti politik do ta determinojnë në masë të madhe konfiguracionin e ri politik në Kosovë, si dhe i japin gjasa kësaj partie që ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm nëse ajo do të dijë të menaxhojë si tërësi me ambiciet e individëve dhe grupeve të caktuara.

Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë cikël zgjedhor hyn e lënduar nga lajmet e përplasjeve me karrige nëpër degë të ndryshme të saj, të cilat më shumë të krijojnë përshtypjen e një “kompanie” me shumë “aksionarë”, e ku interesat për pozita të larta përplasen pamëshirshëm. Kjo ka lënë edhe hije të rëndë sidomos kur bëhet fjalë për postin e të parit të partisë. Gara e ashpër sa është tregues për demokracinë brenda këtij subjekti, po aq është edhe tregues se rivaliteti midis individëve/grupeve mund të jetë aq i thellë, sa më të zhvilluara mund të jenë ndasitë sesa gjuha e kompromisit brenda kësaj partie.

Praktika e deritanishme e veprimtarisë së LDK-së është dëshmi se ky subjekt e gjen më lehtë gjuhën e bashkëpunimit me PDK’në. Këto dy subjekte kanë bashkëqeverisur jo vetëm në nivel qendror, por tradicionalisht edhe në nivel lokal nëpër komuna të ndryshme. Edhe sa i përket dy temave kryesore që u bënë shkas për rënien e qeverisë “dialogu dhe taksa”, LDK dhe PDK nuk dallojnë në diskursin politik, janë të ngjashme. Por, afërsia në opozitë me Lëvizjen Vetëvendosje, bashkërendimi i reagimeve opozitare, gatishmëria deklarative për qeverisje të përbashkët, kanë ngjallë shpresën në popullatë se nëse këto të dyja bëhen bashkë, atëherë pa diskutim PDK-në pas më shumë se një dekadë qeverisje, do ta shihnim në opozitë. Por, është në duart e kryesisë së re të LDK-së se çfarë drejtimi do të merr kjo parti në të ardhmen – do të mbetet peng i së kaluarës dhe bashkë me PDK-në do të shkojnë në opozitë, apo do të sheh mundësinë e një perspektive të re bashkë me Vetëvendosjen në pozitë, pasi të kenë nënshkruar koalicionin parazgjedhor.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK bëhen bashkë në zgjedhje, nuk ka forcë e kombinatorikë politike që mund ta ndalë fitoren e tyre. 
Kandidatin për kryeministër e kanë – Albin Kurtin, njeriun më të votuar në zgjedhjet e kaluara.

Nëse ndodh e kundërta, LDK nuk pranon gatishmërinë e VV për ta çuar përfundimisht PDK-në në opozitë, atëherë ka veç një shpjegim: kjo parti ka vendosur që të vazhdojë dialogun pa kushte, ta heq taksën dhe ta legjitimojë idenë e ndarjes së Kosovës. Pra, të shtyjë përpara çdo agjendë politikë që si opozitë e kanë “kundërshtuar”.

Në këto rrethana, LDK do të mbetet në opozitë, bashkë me PDK-në.

E, ndonëse në opinion përfliten emra të ndryshëm të mundshëm se kush do ta merr timonin e LDK-së, ky subjekt politik ka dëshmuar se më të rëndësishëm janë anëtarët që me vite i qëndrojnë besnik koncepteve të kësaj partie, ata që natë e ditë angazhohen për fitoren e këtij subjekti, sesa disa figura të që kanë popullaritet, por jo edhe mbështetje të strukturave partiake. Për ne që gjykojmë nga jashtë më lehtë është të thuhet se Vjosa Osmani është kandidatja e duhur që të udhëheq me këtë parti, mirëpo nga brenda partisë është krejtësisht legjitime që ata sigurinë më të madhe ta ndjejnë me figura që tradicionalisht janë sprovuar dhe janë treguar të suksesshëm në bastionet e tyre, si Agim Veliu në Podujevë apo Lutfi Haziri në Gjilan.

Por, nëse LDK i ka bërë kalkulimet e duhura politike, atëherë do të duhej ta ketë kuptuar se kushdo që të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së në zgjedhjet e ardhshme nuk do të nënshkruante me asnjë kusht bashkëqeverisjen me PDK-në. Në këto rrethana emri i përveçëm ka fare pak rëndësi nëse edhe në të ardhmen do të ndiqen standardet e dyfishta: rivalitet me PDK-në deri në momentin e nënshkrimit të koalicionit për bashkëqeverisje sepse një plan i tillë nuk do t’iu funkciononte kësaj radhe!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme