Angazhimi i Agjencisë së Kadastrës, përfshirja e pushtetit vendor bashkë me marrëveshjet me gjeodetët për hartëzimin e pronave dhe saktësimin e të dhënave kadastrale duket se nuk kanë mjaftuar për të mbyllur njëherë e mirë çështjen e legalizimit të ndërtesave pa leje.
Tashmë radhën e kanë vetë qytetarët, duke vetë deklaruar në njësitë administrative, si një inicim për legalizimin e më tej regjistrimin e pronës, një metodë kjo e përdorur edhe më herët. Skemën e re që do të implementohet së shpejti e ka shpjeguar ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, në një intervistë për mediat bashkë me premtimin për ta përmbyllur procesin brenda një periudhe të shkurtër.
DEKLARATA
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pranoi se një nga çështjet problematike mbetet ajo e pronave dhe zbuloi se plani i ri për të përfunduar këtë proces të zgjatur në vite do të bazohet te vetëdeklarimi, duke përdorur metodat inovative. Sigurisht, për amullinë e krijuar me çështjet e pronave, ministri bën përgjegjës Partinë Demokratike gjatë kohës kur ka qenë në pushtet, duke premtuar t’i japë zgjidhje sa më shpejt.
“Kemi disa vite që po punojmë, po investohet, por akoma një nga problematikat e mëdha që na del janë çështjet e pronave dhe legalizimeve, përmbyllja e procesit të legalizimit. Formalizimi dhe kapitalizmi i shtëpive të ndërtuara. Duhet ta shohim pak në sy gjënë. Është një tranzicion i tërë. Kanë ardhur me furi të jashtëzakonshme komunitete të tëra pas ’90, që me të drejtë u çliruan nga jetesa e programuar me qytete, ku ndalohej të shkoje nga një qytet në tjetrin pa lejen e partisë dhe pa pasur një punësim të caktuar nga ajo ekonomi e centralizuar. Kështu që gjithë kjo gjë që ka ndodhur në vitet e para të tranzicionit e ka kapur shtetin shumë të brishtë, demokratik po themi, Shqipërinë e këtyre 35 viteve. Dhe ka qenë e pamundur që kjo lëvizje demografike në këto numra të mund të kishte ndonjë mundësi për ta urbanizuar dhe sjellë afër qyteteve duke organizuar këtë gjë në kushte më të mira banimi, infrastrukturë etj.. Gjithë ky informalitet i ardhur edhe nga nevoja, por edhe nga pamundësia e shtetit për t’i dalë para kësaj dallge, këtij cunami, ka sjellë që sot ne akoma pas 35 vitesh të merremi me një pjesë të pasojave të tyre”, – shpjegoi ministri, duke dhënë në detaje për mënyrën se si do të punohet për intensifikimin e punës, me qëllim për ta mbyllur procesin e legalizimeve brenda një kohe sa më të shkurtër.
“Do të ketë një format të ri pune edhe në nivelin e legalizimeve. Do të jenë jo në vendndodhje të përcaktuar subjektivisht, por me rend, afat dhe detyrë pune të përcaktuar, që të ketë kështu një shpejtësi më të madhe në daljen e këtyre dokumentacioneve. Do të përdoren shumë sistemet e reja inovative, por do të jetë edhe një skemë e re me vetëdeklarim që do t’i ndihmojë qytetarët, pra përmasat, objekti, fqinjësia, karakteristikat, vendi, blloku ku është. Këto të gjitha do të printohen, do të ketë një vetëdeklarim nga banori, një marrje dijeni nga Njësia Administrative dhe do të ketë një shpejtësi shumë më të madhe për t’i mbyllur në një kohë më të shkurtër legalizimet”, – tha Gonxhe.
/Gazeta Panorama