Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vazhdojë dhe se Qeveria e Kosovës duhet t’i thotë këtij dialogu.
Në një prononcim për Indeksonline, Lekaj ka theksuar se, “Institucionalistat” e Kosovës po tregohen të pazotë për t’i thënë qoftë edhe formalisht njëherë të vetme jo, agjendës serbe të dialogut.
“Kjo çfarë po ndodhë dhe mënyra se si po zhvillohen këto takime, të cilat më shumë janë për fotografi kurtuazie se sa për të zgjidhur problemet ndërmjet dy shteteve, është totalisht nënshtrim i Kosovës përballë Serbisë. Kosova nuk ka çka të ulet në tavolinë të dialogut me Serbinë, përderisa Serbia është e pandreqshme me sjelljen e saj karshi Kosovës”, ka thënë Lekaj, transmeton Indeksonline.
Po ashtu Lekaj ka shtuar se ka shtim të dozës së konfliktualitetit në Ballkan, e gjithë kjo për fajin e Serbisë.
“Pse atëherë Kosova duhet gjithnjë t’ia mbulojë këto faje. Pra është e pakuptueshme pse ende duhet vazhduar të bisedohet me një shtet që s’ka ndryshuar”, ka shtuar Lekaj.
Ky i fundit ka përsëritur se këto bisedime duhet të ndërpriten dhe se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë se ku është duke e dërguar Kosovën.
“Të ndërpriten këto bisedime, të ndalet Qeveria e Kosovës e të mendojë se ku është duke e dërguar Kosovën me vazhdimin e dialogut, ta pranojë se përmes këtij dialogu është duke e dorëzuar çdo ditë e më shumë të drejtën sovrane të saj mbi një pjesë të Kosovës, për të mos thënë Kosovën krejt. Ka nevojë urgjente që të bëhet një platformë e qartë se si Kosova me pjesëmarrjen e të gjithë faktorët politikë e shkencorë të saj t’i qaset me seriozitet të madh një dialogu me agjendë e me tema të afateve kohore”, ka thënë Lekaj.
Lekaj ka përfunduar se duhet ta kujtojë Serbia se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mund të ketë normalitet e integrime për të pa e njohur këtë realitet.