Marrëveshja në këtë version është e vdekur për opozitën dhe si e tillë duhet të kthehet në pikën zero në mënyrë që fillimisht të ketë dialog në mes të pozitës e opozitës. Kështu u shpreh deputeti Lekaj në Rubikon të KTV-së duke shtuar se vendi nuk mund të ecë përpara e cunguar në territor.
“Kjo marrëveshje është e vdekur për neve si opozitë. Pse i dhatë hapësirë listës Srpska, që t’i jepni kompetencë më shumë”, ka thënë Lekaj.
Se qeverisë i duheshin 80 vota dhe pa ato 10 të Listës Srpska një gjë e tillë ishte e pamundur nuk e mohoi deputeti Ferati.
Madje ai e tha këtë hapur duke vazhduar të pohoi se mund ta përsëris një gjë të tillë sa herë e kërkojnë bashkëfolësit.
“Na duheshin 10 vota të Listës Srpska për të votuar”, përfundoi Ferati.
Duke u ankuar vazhdimisht se nuk po i lejohet të marrë fjalën dhe të shpjegohet Ferati ka thënë se ndjehet mirë që një gjë të tillë po e shohin qytetarët dhe në këtë mënyrë të kuptojnë se një atmosferë e tillë është edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Po më vjen mirë që po e shohin qytetarët, që kjo është klima e Kuvendit të Kosovës. Krejt çfarë kam arritur të them është se nuk pajtohem që vendi po humb territor”, theksoi Ferati.
Por, deputeti Ismaili i përgjigjet se nuk po arrin të shpjegohet pasi nuk ka argumente tjera.
“Nuk keni argumente tjera, për këtë arsye”, përfundoi Ismaili.