Lekaj thotë se kryeministrit nuk duhet t’ia lënë afër telefonin sepse po i ofendon njerëzit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj i ka reaguar kryeministrit ndaj deklaratës që kishte dhënë para tri dite, ku e kishte krahasuar atë me Marko Gjuriqin. “Çfarë deklaron Gjuriqi, është nivel i Pal Lekajt. Të dy këta shërbehen me gjuhë rrugaçësh”, kishte shkruar kryeministri ne profilin e tij në facebook.

Ndërsa Lekaj duke komentuar këtë deklaratë të kryeministrit, mbrëmë në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, kishte lutur publikisht të gjithë këshilltarët e kryeministrit dhe familjen e tij, që në orët e mbrëmjes meqë mund të lodhet kryeministri mos t’i lënë telefon afër që të shkruaj SMS-a e statuse pa i kontrolluar, sepse siç thotë Lekaj, po i ofendon njerëzit.

“Njerëzit që bien në një nivel të tillë si të kryeministrit nuk meritojnë dialog. Prandaj unë nuk do të lëshohesha në fjalorin që e ka përdorur kryeministri, sikur ta kishte përdorur një fëmijë ndoshta ja kisha falë, mirëpo një kryeministër i vendit të sillet me atë fjalor jo të mirë për qytetarët dhe për mua personalisht, mendoj që nuk do koment dhe të mbetet në ndërgjegjen e tij”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka thënë se nuk e ka ngacmuar kryeministrin para asaj deklarate, vetëm e ka quajtur pulë të detit dhe nëse nuk e ka kuptuar kryeministri se çfarë është pula e detit, Lekaj i thotë se ajo është shpeza më e butë që nuk reagon dhe mu në këtë drejtim e ka personifikuar kështu sepse nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Vuqiqit.