Zejd Rexhepi nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit, sot në konferencë për shtyp informoi se kryesia e kësaj partie dje ka mbajtur mbledhje në të cilën kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend si dhe kontestin që kanë pasur rreth partisë “Lëvizja Besa” me anëtarët tjerë të kësaj partie.
Rexhepi tha se kryesia ka marrë vendim që të ndryshojnë emrin e subjektit politik që drejtohet nga Afrim Gashi dhe të quhet “Alternativa”.
“Në këtë mënyrë do të shkëputemi nga kurthi që kanë dashur ta futin kundërshtarët politik dhe argatët e tyre. Alternativa do të vazhdojë të ndjek kursin e saj tradicional politik, do të përfaqësojë strukturat e saj që e kanë themeluar dhe do të angazhohet për vlerat që ajo beson”, tha Rexhepi.
Ai shtoi se do të vazhdojnë edhe më tej të kërkojnë drejtësinë në lidhje me emrin dhe logon e Lëvizjes Besa, duke theksuar se në këtë shtet ka akoma njerëz që përzihen në punën e drejtësisë.
Rexhepi tha se në takimin e kryesisë së partisë është diskutuar edhe për zgjedhjet presidenciale, për të cilat tha se do të negociojnë me kryeministrin Zoran Zaev për kandidat të mundshëm të përbashkët.
Ndryshe, pas zgjedhjeve lokale në vend në Lëvizjen Besa filluan përçarjet në kryesinë e partisë, duke u ndarë në dy krahë që udhëhiqeshin nga Afrim Gashi dhe Bilall Kasami. Ata të dy pretendonin se janë kryetarë të kësaj partie, pasi kishin marrë mbështetje në dy konventat që u organizuan ndaras.
Pas përçarjeve në këtë parti, çështja arriti deri në Gjykatën e Apelit, prej ku disa herë është raportuar se ky institucion ka marrë dy vendime të kundërta. Në njërin thuhej se kryetar i partisë “Lëvizja Besa” është Bilall Kasami, ndërsa në tjetrin kryetar është Afrim Gashi.