Në një kumtesë dërguar mediave nga Lëvizja BESA sqarojnë se sot paraqiten para mediave për ta kompletuar skandalin e falsifikimit të dokumenteve të BESË, që e ka bërë ish kryetari, tashmë falsifikuesi Bilall Kasami.
Kumtesa e plotë:
Nëse opinioni i ka ndjekur me kujdes emrat që falsifikuesi Kasami i ka dërguar në gjykatë në mënyrë klandestine, e merr vesh skenarin e plotë. Në fakt, plot dy muaj para të ndodhte shkarkimi i Kasamit, kur plot njerëz vullnetmirë ende e lusnin të lëshojë pe dhe shpresonin se ai do të ketë mëshirë për shpëtimin e Besës, ai së bashku me Arjanit Hoxhën, Kastriot Rexhepin dhe Fadil Zendelin – duke ndjerë se ishin pakicë në agjendën e tyre përçarëse – e kishin përgatitur skenarin e shkatërrimit të Besës, duke i ndryshuar emrat e anëtarëve të Këshillit Qendror. Ata i kishin zgjedhur me kujdes emrat besnikë të këtyre katër falsifikuesve, i kishin dërguar në gjykatë si anëtarë të Këshillit Qendror dhe kishin shpresuar se kështu e kanë përfunduar agjendën. Por, dardha u doli me bisht. Ky skenar u zbulua dhe, përveç dështimit nga shumica reale në Këshillin dhe Kryesinë Qendrore, ata shpejt do të duhet të japin llogari edhe në gjykatë kur të ballafaqohen me padinë penale.
Që ta ketë të qartë opinioni se kush nga sa kishte ndarë hise në këtë skenar falsifikimi, këtu po e sjellim tablonë e plotë të falsifikimit:
Shkojmë me radhë:
- Fadil Zendeli, ka vendosur që në këtë listë të përfaqësohet me këta njerëz:
- Kurtish Salija nga Gostivari
- Dervish Alimi nga Kërçova
- Nusret Ziba nga Struga
- Arjanit Hoxha, përveç vetes së tij, në skenarin e falsifikimit i ka futur këta persona:
- Ilir Hoxha nga Karposhi
- Dritan Ramadani nga Kumanova
- Amir Bajrami, nga Haraçina
- Kastriot Rexhepi në këtë skenar ka përfituar hise më të madhe të falsifikimit, duke vendosur disa persona të xhematit të tij:
- Avni Salii nga Likova
- Besnik Idrizi nga Buteli
- Muhamed Curri nga Shutka
- Fahrudin Ibrahimi nga Saraji
- Rexhep Latifovski nga Studeniçani
- Ramadan Neziri nga Çairi
- Ndërkaq pjesa tjetër e falsifikimit i ka mbetur Bilall Kasamit. Ai i ka shkruar këta emra:
- Nuredin Deari nga Bogovina
- Burhan Abazi nga Tetova
- Semir Aimi nga Shkupi
- Xhemil Fejzullahu nga Krusheva
Këtu do të theksojmë se, derisa aktivistët e Besës në Çair përballeshin në raundin e tretë të zgjedhjeve lokale (14 nëntor), duke e pasur edhe jetën në rrezik, këta njerëz në krye me ish kryetarin më 15 nëntor dërgonin në gjykatë dokumente për përçarjen e Besës. Por, turpi nuk hahet me sheqer.
Neve na vjen keq për shqetësimin që e përjeton votuesi dhe struktura e Lëvizjes BESA, por e vërteta – sado e hidhur – duhet të dihet. Ky është skenari që e kanë përgatitur këta katër persona, duke shpresuar se kështu po e realizojnë agjendën e tyre të përçarjes së Besës. Por, siç e thamë dje, në vend të lavdit, e morën turpin.
Çfarë ju desh kjo?!
Shkup, 23.02.2018 Lëvizja BESA – Shkup