Lëvizje të shumta në strukturat e Policisë së Tiranës pas zgjedhjeve, ndryshime në drejtuesit e komisariateve dhe jo vetëm

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, janë regjistruar lëvizje dhe transferime të shumta në strukturat e Policisë së Tiranës, duke përfshirë ndërrime në drejtuesit e komisariateve dhe efektivët e policisë rrugore.


Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Igli Çelmeta, shefi i krimeve në Komisariatin nr. 5 është transferuar në Vorë, ndërsa drejtuesi i krimeve në Vorë është emëruar në vendin e tij, duke realizuar një shkëmbim postesh mes dy strukturave.

Ndryshime janë bërë edhe në Komisariatin nr. 1, ku shefi i krimeve është transferuar në sektorin e aksidenteve në Policinë Rrugore të Tiranës.

Ndërkohë, në strukturën e Policisë Rrugore janë bërë rreth 20 transferime të efektivëve të linjave dhe të trafikut, përfshirë edhe lëvizjen e katër komandantëve të trafikut dhe linjave. Mes tyre është dhe shefi i trafikut urban në Tiranë, Jetnor Shira, i cili është zëvendësuar nga Megian Ademaj.

Gjithashtu, janë bërë edhe transferime të disa oficerëve të Policisë Gjyqësore brenda strukturave të Policisë Rrugore të Tiranës.

Për momentin, nuk janë bërë publike arsyet apo motivacionet zyrtare për këto lëvizje të shumta në Policinë e kryeqytetit.

Kujtojmë se vetëm shtatë muaj më parë u realizuan ndryshime të thella në Policinë e Shtetit, ku u zgjodhën 12 drejtues të rinj në qarqe dhe 48 shefa të komisariateve. Megjithatë, gara për drejtuesit e departamenteve mbetet ende pezull, ndonëse ligji i ri për Policinë e Shtetit parashikon zhvillimin e konkurrencës për këto pozicione.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme