Lexohet letra e Papa Françeskut për Kryepeshkopin Anastas Janullatos: Promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera!

Gjatë ceremonisë së funeralit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, u lexua letra e Papa Françeskut.


Screenshot_15

Letra u lexua gjatë funeralit nga kreu i delegacionit të Vatikanit.

Papa kujton në letër takimin e tij me Janullatosin gjatë vizitës në Shqipëri, teksa nënvizon impenjimin e Kryepeshkopit për të depërtuar në thellësitë e zemrave të njerëzve, pa humbur bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse, si edhe kontributin në dialogun e në bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit

“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit. Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë…

Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe shërbesës së tij si prift dhe peshkop ai tregoi gjithmonë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe duke e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. E bëri këtë, duke ndjekur shembullin e Shën Palit apostull, i cili iu përkushtua aq shumë Krishtit sa mundi të thoshte: “Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin” (1 Kor 9, 22).

Duke marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, deshi të depërtonte në thellësitë e zemrave të atyre, që besuan, veçanërisht në traditën dhe identitetin e tyre, pa e humbur asnjëherë bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse. Njëkohësisht, u impenjua me vullnet të mirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Kur mbërriti në Shqipëri – disa priftërinj e pritën me urimin e Pashkëve në greqisht “Christos Anesti!”. Ai u përgjigj shqip, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për të jetuar me popullin dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila mposht çdo errësirë dhe shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.

Tani që jeta e tij tokësore arriti në fundin e saj, që mban datën e 27 janarit, lutem që, me mëshirën e Zotit, Atit të Gjithëpushtetshëm, Fortlumturia e Tij ta lëvdojë në amshim Trininë Shenjte, së bashku me të gjithë dëshmitarët e fesë dhe barinjtë, që u kanë shpallur fjalën e shpëtimit popujve, kudo dhe në çdo kohë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme