Një grua 76-vjeçare dhe djali i saj janë vrarë në një fshat në veri të Izraelit nga një raketë e hedhur nga Libani të dielën, njoftuan zyrtarët izraelitë.
Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi ushtria izraelite tha se i vrau katër militantë të armatosur rëndë, të cilët po tentonin të futeshin vjedhurazi në Izrael nga Libani.
Luftimet mes Izraelit dhe lëvizjes libaneze të mbështetur nga Irani, Hezbollah, janë rritur paralelisht me luftën mbi tremujore të Izraelit kundër Hamasit në Gazë, një grupi tjetër të mbështetur nga Irani.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Raketa antitanke e hedhur në Kfar Yuval, një fshat bujqësor në kufi me Libanin, ra mbi një shtëpi, duke e vrarë nënën dhe djalin e saj 40-vjeçar, tha ushtria izraelite.
Një burrë 74-vjeçar u plagos, sipas një zyrtari mjekësor, i cili e përshkroi atë si anëtarë të së njëjtës familje të bujqve.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj janë duke i goditur caqet e Hezbollahut në Liban në shenjë hakmarrjeje.
Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do ta vazhdojë luftën e vet kundër Hamasit derisa të triumfojë dhe nuk do të ndalet nga askush.
Netanyahu foli pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i mbajti dy seanca dëgjimore rreth akuzave të Afrikës së Jugut se Izraeli është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve.
Izraeli i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si hipokrite dhe shpifje.
Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës ta urdhërojë Izraelin ta ndalë ofensivën e saj ajrore dhe tokësore, e cila e ka rrënuar Gazën.
“Askush nuk do të na ndalë, as Haga, as boshti i së keqes e askush tjetër”, tha Netanyahu, duke iu referuar Iranit dhe milicive aleate të tij.
E diela shënon 100 ditët e luftimeve në Gazë.
Izraeli është duke u përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për ta ndalur luftën, e cila i ka vrarë më shumë se 23.000 palestinezë në Gazë dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha në enklavën e rrethuar.
Lufta u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor, gjatë të cilit pjesëtarët e Hamasit dhe militantë të tjerë i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael, kryesisht civilë. Më shumë se 250 njerëz u morën peng dhe, derisa disa janë liruar apo kanë vdekur, më shumë se gjysma e tyre besohet se janë duke u mbajtur rob ende./ REL