Byroja e Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE) ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku nga grupi terrorist serb i udhëhequr nga atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Nga ky grup, tre persona mbetën të vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë e Kosovës.
Në një deklaratë publike, ALDE u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi “që të bashkëpunojnë plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet e Kosovës në hetimin dhe sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve të sulmit nga një grup i madh paraushtarakësh serbë më 24 shtator në veri të Kosovës me armë të rënda kundër patrullave të policisë së Kosovës në të cilat një polic u vra”.
“Autoritetet në Serbi duhet të përmbahen nga mbështetja dhe inkurajimi i sulmeve të dhunshme kundër Kosovës dhe duhet të angazhohen plotësisht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si parakusht për anëtarësimin në BE”, thuhet në deklaratën e tyre, raporton Klankosova.tv.
Partia ALDE beson fuqimisht se afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në do të ndihmojë në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë, “prandaj ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të shtojë përpjekjet e tij dhe të sigurojë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përshpejtojë ritmin dhe jep përparim drejt reformave dhe normalizimit mes dy vendeve”.