Panairi i Librit, edicioni i 19, nis nesër (e martë) në Prishtinë dhe mbyllet më datë 11 qershor.
Në stendën e shtëpisë botuese “Armagedoni” lexuesit mund ta gjejnë edhe librin e ambasadorit të Kosovës, profesorit të shkencës politike, Sabri Kiçmari, shkruar për përfaqësimin diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin e ka botuar gazeta “Epoka e re”. Për këtë libër dhe për të gjithë të tjerët në stendën e “Armagedoni”-t ofrohet zbritje 20 për qind.
Profesor Rexhep Qosja ka thënë se ky libër është një përmbledhje e kujtimeve me rëndësi historike: “Libri i diplomatit dhe i studiuesit tonë tashmë të njohur e të çmuar, Sabri Kiçmari, me titullin e qëlluar dhe shumë domethënës, ‘Fitorja diplomatike’, është libër i rrallë në krijimtarinë tonë letrare e shkencore, në të cilin janë bashkuar, shumë pajtueshëm, veçanti të kujtimeve dhe të ditarit. Dhe, bashkimi i këtyre dy veçantive e bën veprën e tij, të shkruar me dhunti, me dije, me kulturë krijuese e gjuhësore, më interesante në pikëpamje letrare artistike dhe më të bindshme në pikëpamje shkencore. Mund të thuhet kështu, sepse një pjesë e madhe e kujtimeve të tij në librin në fjalë jepen me datën e ngjarjeve, të veprimtarive, të takimeve, të bisedave, të reagimeve, të vizitave politike e të tjera, me ç’rast të gjitha ato trajtohen siç trajtohen zakonisht në ditarë”.
Në librin “Fitorja diplomatike” Kiçmari na i tregon ngjarjet më të rëndësishme të të gjitha atyre që po ndodhnin e po bëheshin në Evropë për Kosovën e në lidhje me Kosovën, në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në lidhje me politikën e partive tona për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.