Lider të partive politike shqiptare dërguan urime për nderë të 17 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kryetari i kuvendit Afrim Gashi nënvizoi rëndësinë e kësaj dite, duke thënë se ndërtimi i shtetit të suksesshëm demokratik dhe integrimi i Kosovës janë betejat paqësore që qytetarët meritojnë ti fitojnë, shkruan Alsat.
“Dita e pavarësisë së Republikës së Kosovës shpreh festën e çdo shqiptari, duke shënuar një rrugëtim të mundimshëm, por triumfues, drejt lirisë dhe pavarësisë”, uroi Gashi.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se kjo ditë kujton sakrificën për pavarësi dhe liri të popullit të Kosovës.
“Në këtë ditë të shënuar për Kosovën, kujtojmë sakrificën, qëndresën dhe krenarinë e një populli që për asnjë moment nuk u ndal në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ishte urimi i Mexhitit.
Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se kjo ditë shënon një moment krenarie për kombin shqiptar.
“Nga Tetova, qyteti që gjithmonë ka qenë pranë Kosovës në çdo hap të saj, ndajmë jo vetëm histori të përbashkët, por edhe një të ardhme që do ta ndërtojmë bashkë, me më shumë bashkëpunim, zhvillim dhe përparim”, uroi Kasami.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se Kosova sakrifikoi shumë për pavarësinë e saj, duke përmendur edhe rolin kyç të UÇK-së.
“Pavarësia e Kosovës është simboli i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar, i cili me përpjekjet ndër breza, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës dhe me jetët e mijëra njerëzve, dëshmorë dhe martirëve, arriti të realizojë ëndrrën e tij për liri dhe pavarësi”, ishte urimi i Ahmetit.
Përveç liderëve politik, urimeve për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës iu bashkuan edhe ministra dhe kryetarë të komunave.
Për dallim të liderëve shqiptar, liderët maqedonas nuk shprehën urime për shtetin e Kosovës edhe pse Kosova është shteti që Maqedonia e Veriut ka partneritetin më të madh ekonomik. / Alsat.mk