Prokurori spanjoll për Katalonjën do ta hetojë presidentin katalonjas, Quim Torra, për padëgjueshmëri, shkaku i moslargimit prej tij, të simboleve pro-pavarësisë, në objektet qeveritare, është bërë e ditur të mërkuren nga një gjykatë.
Komiteti zgjedhor spanjoll e kishte urdhëruar Torrën që t’i heqë simbolet e tilla, si flamurin Estelada, nëpër objektet qeveritare në Katalonjë, të vëna në përkrahje të liderëve që janë duke u gjykuar për pjesëmarrje në referendumin për pavarësi të 2017-tës, raporton Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Përmes një dokumenti gjyqësor, prokurori Francisco Baneres Santos ka thënë se Torra do të hetohet për moslargimin e simboleve, ndonëse i ishin dhënë 48 orë afat për një gjë të tillë.
Konflikti midis qeverisë qendrore në Spanjë dhe Barcelonës ka kulmuar në tetor të 2017-tës, pasi që qeveria rajonale, e udhëhequr nga Carles Puigdemont, organizon referendum për pavarësi, që u shpall i paligjshëm sipas ligjit spanjoll.
Shumica prej politikanëve të përfshirë në mbajtjen e referendumit janë arrestuar dhe mbahen në burg, gjatë gjykimit.



