LIGJI PËR FALJEN E BORXHEVE PUBLIKE VJEN ME NDRYSHIME TË REJA

Agron Thaçi zëvendësdrejtor i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, në programin e mëngjesit “Mirmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) foli për shtyrjen e afatit për faljen e borxheve publike.

Zëvendësdrejtori Thaçi tha se nga data 19 Janar 2017 ka hyrë në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve Publike i cili do të jetë në fuqi deri më 1 Shtator të këtij viti, pasi që ishte kërkesë së qytetarëve dhe bizneseve.

Për dallim nga ligji paraprak, nga ligji aktual Thaçi tha se janë bërë disa ndryshime të vogla, “Ka ndryshuar vetëm përkufizimi se çka nënkuptojmë me person dhe kush mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike, tani përveç qytetarëve, persona fizik dhe juridik-privat do të kenë të drejtë të përfitojnë nga falja e borxheve edhe kompanitë publike të cilat kanë detyrime të papaguara qoftë ndaj Qeverisë, qoftë ndaj institucioneve lokale” bëri të ditur zv.drejtori Thaçi, duke shtuar se nga ky ligj ka zgjerim të personave përfitues.

Thaçi potencoi se detyrimet më të mëdha të qytetarëve janë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ndaj komunave – kryesisht sa i përket tatimit në pronë. Ndërsa për borxhet që ndërmarrjet publike tha se janë kompanitë publike të Prishtinës, kryesisht ekonomitë shtëpiake. Për aneksin e ligjit për faljen e borxheve të kompanive publike ndaj Qeverisë, Thaçi tha se kërkesa dhe interesimi ka qenë i përbashkët dhe është mundësi që edhe institucionet t’i rregullojnë gjendjet e tyre dhe t’i pastrojnë kartelat e tyre. Thaçi potencoi se 450 mijë qytetarë kanë përfituar nga falja e borxheve publike për periudhën nga viti 2000 deri më 31 Dhjetor 2008.

Po ashtu ai tha se për të njëjtën periudhë vlera e borxheve të falura është 238 milionë euro. Ndërsa për periudhën 2009-2014 janë falur afërsisht 100 milionë euro, ku në këtë hyn falja me automatizëm, kryegjëja, interesat, ndëshkimet dhe gjobat tjera që janë vendosur ndërkohë. Ndërkaq shkalla e inkasimit tha se ka qenë rreth 5 milionë euro.

Gjatë kësaj interviste për RTK-në zëvendësdrejtori Thaçi tha se informimi i qytetarëve nuk ka munguar sepse donatorët ju kanë ndihmuar rreth informimit me kohë, duke përmendur edhe kontributin e mediave. Zëvendësdrejtori Thaçi foli edhe për tatimin në pronë ku tha se garanton qëndrueshmëri buxhetore duke cekur rritjen që ishte në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015.

“Ne vetëm gjatë vitit 2016, diku rreth 4.6 milionë kemi realizuar të hyra, më tepër se sa se në vitin 2015, kemi pasur një rritje prej 19%”, ka theksuar Thaçi.

Ai bëri të ditur se për të ardhmen parashohin që ta zgjerojnë bazën tatimore, që parashihet të fillojë në vitin 2019 apo 2020.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme