Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri në seancën për pyetje të deputetëve, kritikoi ministrin e administratës publike se me propozim ligjin e ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, po tentohet zvarritja e mbikëqyrjes së punësimeve duke formuar komision.
Pa vendosjen e një mekanizmi softuerik në vend të balancuesit, ligji nuk mund të jetë i mirëfilltë, tha Aziri.
“Pra ka mungesë të garancës për zbatimin efektiv të saj, ka mungesë të garancisë për përkatësinë etnike, për ata të cilët iu dedikohet ky ligj, ka mungesë të mekanizmave mbrojtës, të mekanizmave detyrues që i detyron institucionet e vendit që ta zbatojnë të njëjtën. Ka mungesë të sanksioneve për respektimin e ligjit”, tha Elmi Aziri – ASH/FE.
Por ministri Minçev u përgjigj se për shfuqizimin e balancuesit ishte pajtuar edhe përbërja e kaluar qeveritare me në krye BDI-në. Siguron se trupi koordinues do të ndjekë procesin e përfaqësimit të barabartë ndërsa për mekanizmat do të vendoset pasi të merret mendim nga komisioni i Venecias.
“Ju në Kuvend kërkuat komision për mbikëqyrje të përfaqësimit të drejtë me partnerin tuaj të koalicionit. Qeveria këtë ua pranoi. BDI-ja, partneri juaj i koalicionit. Ai komision është formuar dhe tani u pengon ligj i ri. Vendosni pra, çfarë doni të pranoni?”, theksoi Goran Minçev – Ministër i Administratës.
Ndërkohë kreu i LSDM-së Venko Filipçe, pyeti kryeministrin se cilat janë planet e Qeverisë sa i përket eurointegrimeve ndërsa ia rikujtoi të gjitha paralajmërimet e tij një vit me radhë për zgjidhje konkrete, sikurse ndryshim i kornizës negociuese por edhe ndryshime kushtetuese me veprim të prolonguar.
“A keni vendosur limit kohor në korniza të këtij mandati qeveritar se deri kur do të përpiqeni të gjeni ndonjë ndryshim të pozitës sonë negociuese apo nuk keni asnjë limit kohor?”, tha Venko Filipçe – LSDM.
Mickoski tha se nuk e ka problem të futë në kushtetutë etnitete të tjera por e ka problem atë që dikush tjetër po e mohon identitetin e tij.
“Të modifikojmë identitetin dhe gjuhën maqedonase me fjalën “modern”, e kjo është esenca. Nuk është esenca të ketë bullgarë në Kushtetutë apo siç thatë ju tre bashkësi të reja etnike. Esenca është që të krijojmë një toponim të ri “gjuhë moderne maqedonase të disa maqedonasve modern” të cilët janë pjesë e “identitetit modern maqedonas”, kjo është esenca”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ashtu si edhe në seancat e tjera për pyetje deputetësh, edhe sot u vërejt mungesë e disa funksionarëve, respektivisht ministrave apo zv.ministrave të cilët duhej të ishin prezentë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve./ Alsat.mk