Ligji për përfaqësimin e drejtë/ Herë në atë enjte e herë në këtë enjte, Arben Fetai pse na rrejte – do të thoshte një fjalë popullore, për dikë që premton shumë por nuk realizon asgjë

Gazetar: Suad Bajrami

Herë në atë enjte e herë në këtë enjte, premtime të njëpasnjëshme por asgjë konkrete. Tre muaj që punësimet në shtet po bëhen pa asnjë mekanizëm që do të garantonte përfaqësimin e drejtë të etniteteve, shkruan Alsat.

Por, Qeverisë nuk i bëhet vonë, madje, zv/kryeministri Arben Fetai që është boll i zëshëm për nismat e VLEN-it, prej ditësh i shmanget medias për propozim Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Fetai, ende pa e shfuqizuar Gjykata Kushtetuese balancuesin, premtoi se brenda tetorit do të nisnin debatet publike për këtë ligj që duhej ta zëvendësonte këtë instrument.

“Ky projektligj në këtë fazë është gati, do shihni javën e ardhshme se do nisim një debat publik në lidhje me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, pati thënë Arben Fetai, zëvendëskryeministër.

Megjithatë, përmbajtja e këtij ligji mjaft të rëndësishëm dhe me interes për qytetarët, po ruhet sikur të ishte dokument top sekret. ALSAT prej muajsh insiston të zbardhen të paktën qëllimet dhe parimet kryesore të zgjidhjes ligjore, megjithatë përgjigja më e shpeshtë e Fetait është i njëjti refren – jemi afër fundit, shumë shpejt drafti do të jetë gati.

“Uroj dhe shpresoj që brenda javës së ardhshme të dalim deri te drafti përfundimtar në kuadër të grupit punues dhe pastaj ta definojmë kalendarin me idenë që në janar ne si ekzekutiv ta kryejmë punën tonë dhe projekt-ligjin ta vendosim në duart e legjislativit për punimet e mëtutjeshme”, thoshte Arben Fetai, zëvendëskryeministër.

Kaloi java e parë e janarit që uronte dhe shpresonte Fetai, që propozimi final të dakordohet dhe të definohej kalendari, por në vend të kësaj, Fetai madje javën e dytë të janarit thërret një pres konferencë, jo për të njoftuar se është dakorduar versioni final i ligjit, por për të njoftuar se ka takim të grupit të ekspertëve për të diskutuar fazën finale.

“Jemi në fazën finale, me takimin e sotëm uroj që të gjejmë dakordimin dhe konsensusin final brenda koalicionit qeveritar dhe që pastaj të vazhdojmë procedurën e ligjit dhe shumë shpejtë ta bëjmë publik të njëjtin dhe të fillojmë procedurën ligjvënëse pas dakordimit në nivel politik”, theksonte Arben Fetai, zëvendëskryeministër.

E sot kur ka kaluar java e tretë e janarit, nuk ka asnjë informatë se a është dakorduar versioni final. Alsat, disa herë e ftoi Fetain që të japë informata, qoftë të paktën për qëllimet dhe parimet e ligjit, por ai zgjodhi të mos u përgjigjet thirrjeve tona telefonike. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, drafti final i dakorduar mes partive për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, para se të votohet në Kuvend do të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim, me qëllim që të mos rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Kjo, nënkupton se do të duhet kohë shtesë për të pritur derisa ligji të miratohet, duke marrë në konsideratë se mendimi nga Venecia, në rastin e ligjit të gjuhëve, kërkoi më shumë se 1 vit kohë.

Megjithatë, situata me ligjin në fjalë është më ndryshe, pasi derisa nuk miratohet, nuk do të ketë asnjë instrument apo mekanizëm për të mbrojtur përfaqësimin etnik gjatë punësimeve në institucione shtetërore. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, publikisht kanë deklaruar se nuk nguten me procesin e miratimit të këtij ligji. Punësimet, do të bëhen në bazë të meritokracisë./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme