Partitë opozitare ditëve të fundit janë duke synuar konkretizimin e nismës së tyre për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Votat e Listës Serbe nuk i fusin në kalkulime për ta prishur atë, prandaj dikush nga deputetët e partive në pushtet duhet t’ua votojë mocionin për rrëzimin e Haradinajt nga karriga e kryeministrit.
Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ditë më parë ka thënë se NISMA-n e Fatmir Limajt e sheh si parti me të cilën mund të jap vota për nismën e opozitës.
“Unë mendoj se ka mundësi me i gjet katër deputetë në koalicionin qeveritar”, ka thënë kreu i PSD’së fundjavën e shkuar.
Ai ka thënë se opozita duhet të caktojë njerëzit përgjegjës që do të mund të bisedojnë me partitë në pushtet, bazuar në atë se kush me kënd i ka raportet më të mira.
“A ka shku naj kush me i thanë NISMA-së, hajde me e rrëzua Qeverinë…Unë se kam marrë iniciativën. Unë i kam thënë z.Mustafa, hajde po i ndajmë përgjegjësitë, ndoshta unë e njoh Fatmir Limajn ma mirë, nashta dikush e njeh Milaim Zekën, na jepni detyra. Por unë nuk muj me i shku me i thanë NISMA-s, hajde pe rrezojmë Qeverinë, pasi që pyetjen e parë që ma bojn është se cila është mundësia e bashkëpunimit para zgjedhor, apo pas zgjedhor”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti .
Ndërkaq, Bilall Sherifi thotë se partia e tij nuk e ka problem që të diskutojë me opozitën edhe për temën e rrëzimit të Qeverisë.