Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka ndarë optimizmin me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi gjatë kësaj jave.
“Unë pres që këtë javë kjo çështje të mbyllet. Do të doja që këtë javë të mbyllet”, ka thënë Limaj në një debat në televizionin publik.
“Kjo javë, besoj, është shumë e rëndësishme për ta mbyllur këtë temë”, është shprehur kryetari i Nismës Socialdemokrate.
Ai ka thënë se koalicioni qeverisës i vendit po angazhohet për t’i siguruar votat për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin.
“Kemi punuar fort këto ditë për t’i siguruar votat”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka thënë se, përkundër raportimeve në media, Lista Serbe nuk ka kërkuar asgjë në këmbim të votave për demarkacionin.
“Njerëzit kanë vështirësi, probleme të natyrave të ndryshme. Duan kohë, e kanë të vështirë. Nuk ka pasur diskutime me tension. Ne po japim argumente pse është e rëndësishme për vendin të ecet përpara”, ka theksuar Limaj.
“Po punojmë në mënyrë që t’i sigurojmë votat”, ka shtuar tutje zëvendëskryeministri.