Numri i lindjeve në Kosovë në shtatë vitet e fundit ka shënuar rënie për më shumë se 10 mijë lindje më pak, ndërsa, faktorët kryesorë që po shihen si shkaktarë të rënies së natalitetit në Kosovë janë kushtet e vështira ekonomike, ligji i lehonisë, planifikimi familjar, si dhe emancipimi i femrës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2010 janë regjistruar gjithsej 33.966 lindje, kurse në vitin 2016 janë evidentuar 23.494 lindje.
Kurse, vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2016 janë regjistruar 10 mijë e 139 lindje, ndërsa për vitin 2017 janë regjistruar 10 mijë e 161, kurse në dy muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar rreth 1 mijë e 442 lindje.
Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Myrvete Paçarada rënien e natalitetit në Kosovë e arsyeton me faktin se femrat në Kosovë po i përkushton më shumë karrierës.
Ajo ligjin e lehonisë në Kosovë dhe planifikimin familjar i sheh si faktorë që po ndikojnë në rënieve e natalitetit në vend.
“Një problem tjetër që është dukuri është se pushimi i lehonisë tek nënat, është shumë i shkurt. Ajo detyrohet ta lë fëmijën e vogël për ta vazhduar punën e vetë sepse e humb kontratën, e humb vendin e punës… Edhe planifikimi më i mirë familjar që dita ditës po vërehet në gjeneratat e reja me kontraceptiv me planifikim të mirëfilltë familjar, domethënë edhe ajo po ndikon që po bëhet një planifikim më i mirë, më i arsyeshëm…nuk do të thotë mos me bë fëmijë por do të thotë me bë fëmijë kur janë kushtet të favorshme për fëmijën, për prindin. Fëmija duhet të jetë i planifikuar jo të jetë pasoj e një jo kontrolle”, shtoi ajo.
Sipas saj, rënia e lindjeve mund të merret edhe si trend pozitiv nëse është e planifikuar.
“Në një mënyrë edhe rënia e numrit mund të merret edhe si trend pozitiv nëse është e planifikuar, nëse kemi këtë ngritje intelektuale të vajzat tona, por në mënyrën tjetër Kosova kurrë nuk ka mjaftë fëmijë, ne kemi nevojë për fëmijë dhe iu apeloj të rinjve që të lindin sa më tepër fëmijë“, tha ai.
Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Myrvete Paçarada pretendon se në vitet e ardhshme do të ketë edhe më tej rënie të lindjeve.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj rënien e natalitetit në Kosovë e lidhë me mungesën e bashkësive të mëdha familjare, punësimin e grave dhe mungesën e institucioneve përkatëse të cilat do të mund të kujdeseshin për foshnjat.
Ajo shtoi se pushimi i lehonisë i cili i jep të drejtë nënave që të pushojnë 12 muaj stimulon nënat që të lindin më shumë se një fëmijë.
“Ndoshta ka shumë arsye pse ka rënë sepse tash është një dinamizëm tjetër i jetës, nuk ka më bashkësi të mëdha familjare, gratë janë të punësuara dhe mundësia për me e rrit një fëmijë meqenëse janë në marrëdhënie pune është goxha e vështirë. Ne si gra deputete gjatë amandamentimit të ligjit të punës ku përfshihet edhe pushimi i lehonisë jemi munduar që grave me iu ofrua kushte që me pas mundësi me rritë fëmijë sepse ne nuk kemi institucione të specializuara që kujdesen për bebet në periudhën e parë të jetës, nuk ka organizata të cilat kanë gra të kualifikuara që mund të kryejnë shërbime sepse në një farë forme nuk ka siguri, çerdhe ndoshta janë të mjaftueshme por shumica e çerdheve fëmijët nuk i pranojnë deri në moshën 1 vjeçare dhe ndoshta kjo është arsyeja dinamizmi, puna dhe mundësia me rritë fëmijën”, tha ai.
Tek rënia e lindjeve në Kosovës sipas Time Kadrijaj ka ndikuar edhe mos pagesa e pushimit të lehonisë në sektorin privat, ku më këtë rast ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që të monitorojë më shumë këtë sektor.
Ndërsa, sipas sociologut Besim Gollopeni faktorët që kanë ndikuar në rënien e lindjeve në Kosovë janë migrimet, emancipimi i femrës, planifikimi familjar, kushtet e vështira sociale e ekonomike në Kosovë.
“Përveç shkaktarëve të lëvizjeve mekanike apo migrimeve të brendshme apo të jashtme të popullsisë, veçanërisht ato të jashtme, natyrisht që kemi edhe aspekte tjera socio ekonomike, kulturore gjë që kemi të bëjmë me një progres sa i përket emancipimit e në veçanti emancipimit të femrës dhe natyrisht që sot bëhen planifikime familjare për numrin e fëmijëve dhe mënyrën e rritjes së atyre fëmijëve dhe natyrisht se edhe kjo ka pasur impaktin e vetë. Janë kushtet ekonomike të cilat shumë të rinj i bëjnë që të shtyjnë hyrjen në martesë për shkak të gjendjes së rëndë sociale ekonomike në vend, shkallës së lart së papunësisë, varfërisë, mungesës së perspektivës për këta të rinj. Një pjesë e madhe e të rinjve në veçanti e gjinisë femërore më e theksuar është ku duan më shumë të përkushtohen në karrierë tek pastaj të krijojnë familje”, tha ai.
Sipas tij, edhe divorci dhe mungesa e politikave popullative në Kosovë kanë ndikuar në rënien e natalitetit në vend.
Ndryshe, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2010 janë regjistruar 33 mijë e 966 lindje, në vitin 2011 ka një ngritje të lindjeve të regjistruar në 34 mijë e 449 lindje, në vitin 2012 janë regjistruar 27 mijë e 912 lindje, për vitin 2013 janë regjistruar gjithsej 29 mijë e 459 lindje, në vitin 2014 nga ASK janë regjistruar gjithsej 26 mijë e 87 lindje, në vitin 2015 janë regjistruar 24 mijë e 716 lindje, ndërsa në vitin 2016 janë regjistruar 23 mijë e 494 lindje.
Në Kosovë, Ligji i punës parasheh që për secilin fëmijë të lindur nënës t’i takojë pushimi i lehonisë prej një viti, me pagesë prej 70 për qind të pagës të cilën është i obliguar t’ia paguajë punëdhënësi, 3 muaj pagesë të pagës mesatare në Kosovë, të cilën e bënë Qeveria e Kosovës, dhe tre muaj të tjerë pa pagesë.