Me një ngritje prej 19 vendeve krahasuar me vitin 2022, Maqedonia e Veriut renditet e 38-ta nga gjithsej 180 vende në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së Medias të “Reporterëve pa kufij”. Kjo e bën Republikën e Maqedonisë së Veriut në vendin më të mirë të renditur në rajon për sa i përket lirisë së medias në vitin 2023.
Përveç renditjes më të mirë, Maqedonia e Veriut, pas Malit të Zi, ka përparimin më të mirë në këtë fushë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me renditjen e vitit të kaluar.
Renditja e vendeve sipas lirisë së medias në vitin 2023 tregon se Maqedonia e Veriut duke zënë vendin e 38-të nga gjithsej 180, është lider për sa i përket lirisë së mediave në raport me vendet e Ballkanit.
Një vend më poshtë, pra në vendin e 39-të, është Mali i Zi me një kërcim pozitiv prej 24 pozitash krahasuar me vitin e kaluar. Kroacia është pozicionuar në vendin e 42-të dhe Sllovenia zë vendin e 50-të sipas indeksit të lirisë së medias 2023.
Shqipëria dhe Kosova renditen mes vendeve problematike në raportin e organizatës Reporterët pa Kufij, Indeksi botëror për lirinë e shtypit, edhe pse kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.
Në raportin që përfshin 180 shtete, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar.