Liria që i kushtoi Martin Bardhit/ Cila është përplasja që çoi në fundin e 59-vjeçarit? “Në Shënjestër” zbardh dosjen

Paraditen e 26 shtatorit, qyteti i Rrëshenit u trondit nga atentati me armë zjarri që la  të vrarë shtetasin Martin Bardhi dhe plagosi tre persona të tjerë, Olti Gjini, Ilir Bardhoku dhe Indrit Bardhi, ky i fundit djali xhaxhit të viktimës.


Kjo ngjarje e rëndë, e ndodhur fare pranë komisariatit të policisë, ende është pa autor.

Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, zbardh dosjen hetimore për ngjarjen.

Policia ka dyshimet e veta se vrasja e tij lidhet me një ngjarje tjetër të ndodhur jo shumë kohë më parë në këtë qytet të vogël në veri të vendit, por shumë të trazuar nga spastrimet e shpeshta që kanë ndodhur midis dy familjeve, të cilat kanë shënuar rekorde të shumta eliminimesh midis njëra-tjetrës, sa brenda dhe jashtë Shqipërisë.  Cila është kjo përplasje që mendohet se çoi në fundin e Martin Bardhit? Dhe a është pikërisht kjo kasaphanë ndër vite midis dy fiseve, që shërbeu si lajmotiv për vrasjen më pas të 59-vjeçarit?

“Më datë 26 shtator 2023, rreth orës 10.40, jemi njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, se në qytetin e Rrëshenit-Mirditë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Marjan Marku (alias) Martin Bardhi, i biri i Mark dhe i Dile, i datëlindjes  6 Tetor 1963, lindur dhe banues në Ndërfushas-Mirditë, si dhe janë plagosur shtetasit Indrit Bardhi, rreth 45 vjeç, i cila ka marrë katër plagë arme zjarri në trup dhe një në këmbë, Arjol Gjinaj, rreth 40 vjeç, i cili ka një plagë arme zjarri në pjesën e shpinës dhe Ilir Bardhoku, rreth 50 vjeç, i cili ka plagë arme zjarri në parakrahun e djathtë”, sqaronte policia.

Pra, si edhe pas vetë njoftimit paraprak të policisë Lezhë, në momentin e atentatit, Martin Bardhi ishte i ulur në tavolinë, në lokalin e tij, në praninë edhe të tre personave të tjerë, të cilët edhe këta nuk u shpëtuan furisë së plumbave që vërshuan atë mëngjes në kafenenë që nuk ndodhet shumë larg qendrës së qytezës së vogël të Rrëshenit. Fatmirësisht edhe pse tre shoqëruesit e Martin Bardhit dolën të lënduar nga kjo ngjarje, ata mundën t’u shpëtojnë plagëve të marra, fat të cilin nuk e pati vetë objektivi i atentatit, i cili humbi jetën në vendngjarje.

 “Menjëherë pas ngjarjes, të plagosurit u transportuan me urgjencë, në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore. Ndërkohë, menjëherë në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e policisë, të cilët kanë bërë sigurimin e vendit të krimit, si dhe janë ngritur disa pika kontrolli në akset rrugore kryesore dhe dytësore me qëllim kapjen e autorëve të veprës penale”, thuhet në dosje.

Sigurisht kjo nuk ishte ngjarja e parë e rëndë, që ndodhte në këtë qytet të vogël të Shqipërisë, që ishte kthyer shpesh në një arenë të përgjakshme të përplasjeve me armë, aq sa kishte tronditur edhe vetë demografinë e qytetit.  Ku familje të shumta duke mos u ndjerë më të sigurt, kishin vendosur deri aty sa të largonin edhe fëmijët e tyre. Ngjarje që kishin tronditur në një farë mënyre në themel edhe rendin social në qytet, ku atentatorët vinin dhe largoheshin të pa shqetësuar nga skenat e krimit, madje duke sfiduar hapur edhe policinë lokale. E cila ishte plotësisht e paaftë për të siguruar rendin në këtë zonë gati të izoluar të Shqipërisë. Ashtu siç ndodhi edhe atë mëngjes, në vrasjen e Martin Bardhit, autorët e masakrës së radhës, u larguan sërish të qetë. Policia u mjaftua dhe këtë herë vetëm me dokumentimin e vendit të ngjarjes.

 “Rreth orës 11.05, është marrë njoftim se në vendin e quajtur Gëziq-Mirditë, ishte duke u djegur një automjet, ku menjëherë në drejtim të vendit ku ndodhej automjeti duke u djegur janë nisur shërbimet zjarrfikëse”, thuhet në dosje.

Por duke u kthyer edhe njëherë te vendi i ngjarjes, ajo që e bëri edhe më të rëndë krimin e shumëfishtë, nuk ishte vetëm kronika e paralajmëruar e një atentati të cilin policia u tregua e paaftë për ta parandaluar, por edhe fakti që ky ekzekutim i radhës ndodhi fare pranë komisariatit, ashtu si edhe shumë ngjarje të tjera që kishin ndodhur në këtë qytet.

 “Pasi u shkua në vendin e ngjarjes, u konstatua se vendi i krimit ndodhej konkretisht në ambientet e jashtme, në verandën e lokalit të viktimës, Marjan Marku. Lokal që ndodhet në qytetin e Rrëshenit, pranë Komisariatit të Policisë Mirditë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në rrugë dhe në trotuar u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale; 29 copë gëzhoja (model 56, kalibër 7.62 mm, me markim 71-58); 5 copë gëzhoja (model 56, kalibër 7.62 mm, me markim 31-64); 2 copë gëzhoja (model 56, kalibër 7.62 mm, me markim NK 1981); 12 copë këmisha predhe fisheku luftarak, të deformuara si edhe 4 copë bërthama predhe fishekësh luftarak.

Gjithashtu gjatë këqyrjes në trotuar, u konstatuan 12 dëmtime, me karakteristika të njëjta me ato të shkaktuara nga predhat e armës së zjarrit”, thuhet në dosje.

 Mjafton për të parë këtë ilustrim të gëzhojave të plumbave të mbledhura në vendin e krimit, për të kuptuar vrazhdësinë me të cilën u qëllua ndaj Martin Bardhit, dhe të pranishmëve të tjerë në tavolinë me të. Por edhe pse krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, dhe fare pranë postës së policisë, autorët nuk e patën aspak të vështirë të largoheshin nga qyteti. Ata mesa duket llogaritën me përpikmëri çdo lëvizje. Makina e tyre u gjet e shkrumbuar vetëm pak kilometra larg vendit ku ata kryen masakrën. Në fshatin Gëziq, në Mirditë, ndërsa edhe këtë herë policia u ngushëllua vetëm me gjetjen e disa gëzhojave brenda saj.

 “Pasi u mor njoftimi se në fshatin Gëziq, në Mirdië, po digjej një automjet, policia konstatoi në një luginë rreth 30 m mbi rrugën e fshatit, një automjet fuoristradë, të markës ‘Jeep’ Grande Cherokee, të shkrumbuar plotësisht”, thotë dosja.  Sipas grupit hetues në vendngjarje, makina e cila  dyshohej se u përdor nga autorët gjatë atentatit, ishte me targa të huaja, ku në dy anët e saj, ishin të dallueshme germat që i kishin shpëtuar shkrumbimit të plotë të automjetit.

 “Në pjesën e përparme të makinës, dallohet një targë e djegur në sipërfaqen e saj, ku vërehen karakteret AB 139 EA, ndërsa targa e pasme është e djegur plotësisht, ku dallohen karakteret AB1”, thotë dosja

Por pjesa më me vlerë për hetuesit, ishin gëzhojat e plumbave të gjendur brenda automjetit, që jo më kot ishte zgjedhur nga autorët të ishte i gatshëm për të ecur në terren të vështirë, me qëllim për t’i shpëtuar çdo ndjekje të mundshme të policisë.  Pavarësisht se në këtë rast ata u larguan nga skena e krimit, të pa shqetësuar.

“Nga këqyrja e brendshme e automjetit, në hapësirën ndërmjet sediljes së pasme, u gjet një gëzhojë si ato model 56, kalibër 7.62 mm, e djegur plotësisht dhe pa kapsollë.  Në tapën e vajit u konstatua logo e ‘Mercedes-Benz’ dhe A6420101630, i njëjti numër u fiksua edhe te kapaku i bilancierëve.

Nga kqyrja e mjetit në vendin e ngjarjes, nuk u arrit që të fiksohet numri i identifikimit (shasisë) së automjetit”, thuhet në dosje.

Posedimi i targave në automjetin e përdorur gjatë krimit çoi grupi hetues edhe te pronari i tyre i vërtetë. Si edhe në faktin e pamohueshëm që këto targa i ishin vjedhur një tjetër automjeti.  Nga verifikimi, rezultoi se këto targa ishin raportuar të vjedhura nga pronari i tyre dy vite para se të ndodhte krimi. Një teknikë të cilën krimi e përdor shpesh, ku servise të ndryshme automjetesh, sidomos në zonën e Durrësit dhe të Krujës, shërbejnë si vende të modifikimit të këtyre makinave, të cilat kohë më pas dalin në qarkullim dhe përdoren në atentate të ndryshme.

“Pasi u verifikua targa e mjetit në sistemin E-Gjoba të Policisë së Shtetit, rezultoi këto targa i përkisnin automjetit ‘Volkswagen’ Golf TDI, në pronësi të shtetasit Ronaldo Daci dhe ishin shpallur në kërkim si targë e vjedhur nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 31 Dhjetor 2021”, thuhet në dosje.

 Por pjesa më interesante e hetimit, është lëvizja që makina e autorëve kreu në intervale të ndryshme kohore, përpara se ata të bindeshin që shënjestra e tyre ishte tashmë në lokalin ku ata më pas edhe do ta qëllonin pa mëshirë. Sipas verifikimeve të kryera nga grupi hetues, të kamerave të sigurisë, të instaluara në komisariatin e policisë së Rrëshenit, makina e autorëve shfaqet para lokalit në pronësi të viktimës në katër intervale të ndryshme kohore. Nga ora 9.36 minuta e mëngjesit deri në orën 10.39, kur më fund krijojnë bindjen se ky është momenti për të hyrë në lokal dhe për të qëlluar mbi Martin Bardhin. Që në këtë moment ndodhej i ulur në lokal bashkë me tri persona të tjerë.

“Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së Komisariatit të Policisë Mirditë, është konstatuar se një automjet me të njëjtat karakteristika me atë të gjetur të djegur në fshatin Gëziq-Mirditë, fuoristradë, i markës ‘JEEP’, tipi Grand Cherokee, ngjyrë e errët, targat e së cilës nuk fiksohen, dhe po ashtu as personat brenda mjetit, kalon në rrugë përpara Komisariatit të Policisë Mirditë me drejtim lëvizje nga tregu në drejtim të lokalit të viktimës, në intervalet kohore 09.36; 10.18; 10.24 dhe 10.39, ku kjo e fundit përkon me kohën e ndodhjes së ngjarjes”, thuhet në dosje.

Vetë autopsia e Martin Bardhit. viktimës dhe shënjestrës së vërtetë të këtij atentati, dhe plumbat e gjendur në trupin e tij, treguan edhe për forcën e armëve me të cilën ai u eliminua. “Gjatë këqyrjes së kufomës së shtetasit Marjan Marku (Martin Bardhi), në morgun e Spitalit Rrëshen, u konstatua se viktima kishte disa plagë tejshpuese, të shkaktuara nga predhat e armës së zjarrit, në pjesën e gjoksit, nga ana e majtë, në mënyrë të theksuar, në shpatullën e djathtë, në bark, në kofshë dhe gjurin e majtë. Në rrobat e viktimës gjatë zhveshjes u gjet edhe një pjesë metalike, si ato që i përkasin pjesëve përbërëse të predhës së armës së zjarrit”, thuhet në dosje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme