Një grua me origjinë shqiptare është liruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, e arrestuar në lidhje me sulmin në Nisë, ku u vranë 86 persona dhe u plagosën 400 të tjerë. Gruaja franko-shqiptare, Enkeledja Zaçe 42 vjeçe, u lirua nën mbikëqyrje gjyqësore më 21 nëntor, por lajmi është bërë i ditur sot nga mediat franceze.
Ajo akuzohet se i ka siguruar vrasësit një pistoletë dhe një Kalashnikov. Prokuroria e ka apeluar vendimin. Ajo u arrestua më 17 korrik 2016 në Nisë, me shoqëruesin e saj, Artan Henaj, dhe më pas u burgos, raporton “OraNews”.
Çifti shqiptar si dhe Ramzi Arefa, një tunizian, akuzohen se kanë bashkëpunuar duke i siguruar armën vrasësit masive të personave, Mohamed Lahouaiej Bouhlel.
Deri më sot, 9 persona janë akuzuar për çështjen.
Ata janë të gjithë të dyshuar, në shkallë të ndryshme, se kanë ofruar ndihmë ndaj sulmuesit në shëtitoren e Nisës, sulm i cili u mor përsipër nga i ashtuquajturi Shteti Islamik.
Mohamed Lahouaiej Bouhlel, 31 vjeçari tunizian, vrau 86 njerëzit gjatë festimeve të pavarësisë mbrëmjen e 14 korrikut 2016.
Ai u qëllua për vdekje nga policia.
Një vit e gjysmë më vonë, shumë çështje qëndrojnë ende pezull rreth dosjes.