Vëllai i Presidentit Hashim Thaçi, Ganiu, është liruar në procedurë të rregullt nga Policia.
Lirimin e tij e ka konfirmuar për Insajderin prokurori i rastit, Ali Ajdini.
Gani Thaçi gjatë ditës së sotme është intervistuar nën cilësinë e të dyshuarit, pasi ishte përfshirë në një përleshje qe ka ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve ku edhe punon Thaçi.
Viktima e këtij rasti është intervistuar dhe është liruar më pas.
Policia e Kosovës ka konfirmuar një incident i cili ka ndodhur rreth mesditës sot në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.
Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmoi sot se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.
Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.
Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.



