Çarjet mes socialistëve dhe rilindasve, janë reflektuar në Kryeqytet, ku socialistët pothuajse do të mungojnë, ose do të shpërndahen në qarqe të tjera, ose do të japin dorëheqjen si të tjerët.
Të hënën në orën 24: 00 përfundon afati ligjor për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Janë pak më shumë se 24 orë ankth për ata që lexojnë emrat e tyre, një herë në listë, pastaj jashtë saj, apo një herë në listën fituese pastaj në listën humbëse, ku duhen më shumë se 10 mijë vota preferenciale për të çarë murin e vënë nga Kodi Zgjedhor.
Ndërsa në PD dhe LSI ka hermetizëm total, Partia Socialiste ka njoftuar kryesinë në orën 18:00. Një mbledhje ku do të marrin pjesë 12 koordinatorët e qarqeve, me propozimet për listat e secilit qark dhe ku Kryesia, të paktën formalisht do të miratojë apo kundërshtojë secilin emër.
Pas mbledhjes së kryesisë, ashtu si në vitin 2017, Kryetari i PS dhe koordinatorët e qarqeve do të lexojnë emrat e kandidatëve përpara mediave dhe më pas do t’i nisin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në 2017, Gramoz Ruçi, atëherë sekretar i Përgjithshëm i PS, themeloi sfidën e drejtuesit të qarkut që kandidon në fund të listës fituese, për të cilën angazhohej. Ai e vuri emrin e tij të 8-in në Fier dhe fitoi 10 mandate aty. Kjo skemë është propozuar edhe këtë vit, por nuk ka patur asnjë vendim. Do të jetë zgjedhje e lirë për drejtuesit e qarqeve.
Një skemë e ngjashme, më 2017 është ndjekur edhe me përzgjedhjen e kandidatëve. Lista paraprake është bërë nga drejtuesit e qarqeve dhe merr miratimin e Ramës në mënyrë operative dhe kryesisë në mënyrë formale.
Kjo mënyrë përzgjedhjeje që këtë herë po praktikohet edhe në Tiranë, ka shkaktuar lëvizje të rëndësishme dhe dorëheqje të papritura. Vasilika Hysi, Besnik Bare dhe Sadi Vorpsi nuk e kanë më emrin në listat që po harton Veliaj, si drejtues i Qarkut të Tiranës. Pas kësaj ata shpallën dorëheqjen më një tekst të ngjashëm dhe pretekst të njëjtë: do iu hapim rrugë të rinjve.
Por, ndërsa Majkos dhe Hyskos u janë kërkuar dokumentet për regjistrimin në KQZ, ish- ministres akoma nuk i është njoftuar vendimi. Ndërkohë që Elona Gjebrea është tashmë një emër që nuk do të jetë në listën fituese të Tiranës, e cila po mbushet me emra të rinj si Toni Gogo, Etjen Xhafaj dhe prurje të reja si Najada Çomo dhe Luljeta Bozo.
Çarjet mes socialistëve dhe rilindasve, janë reflektuar në Kryeqytet, ku socialistët pothuajse do të mungojnë, ose do të shpërndahen në qarqe të tjera, ose do të japin dorëheqjen si të tjerët.
Një listë e gjatë emrash që vijnë dhe që ikin, për shndërrimin total të grupit parlamentar të PS. Jo vetëm në Tiranë, ku bien në sy emrat e rinj, të sjellë nga Veliaj. Në Berat ikja e Ermonela Felajt dhe Adnor Shametit, për tu zëvendësuar me Nasip Naçon e LSI dhe një emër nga FRESSH, ka shkaktuar tashmë debate që mund të reflektohen edhe në rezultatin e 25 prillit.
Në veri, ndryshimet do të jenë radikale, emrat e rinj do të dominojnë me shpresën për përmbysje. E sigurtë është që grupi parlamentar që do të dalë nga 25 prilli, reflekton më shumë Veliajn se sa Ramën. Ndoshta PS ka filluar të punojë për trashëgiminë.
(Dosja.al)



