Lista Serbe i ka cilësuar si “shizofrenike” deklartat dhe siç i ka quajtur “kërcënimet” nga Prishtina ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas kësaj liste “josinqeriteti i zyrtarëve të Prishtinës kur bëhet fjalë për dialogun, paqeruajtjen dhe vendosjen e vlerave evropiane në Kosovë përfaqësohet më së miri nga sulmet histerike ndaj Presidentit Aleksandar Vuçiq”, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.
Reagimet nga Prishtina erdhën pas deklaratave të kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.
“Mesazhi më i rëndësishëm është mesazhi i paqes, dialogut dhe dëshirës për të vazhduar bisedimet me Prishtinën dhe për të kuptuar që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut dhe për ta arritur atë më shpejt sesa më vonë. Përndryshe, një lloj konflikti mund të na ndodhë”.