“Unë i bëj thirrje Kadri Veselit që të dalë e të e sqarojë se a qëndron ai prapa deklarimeve të Ramiz Lladrovcit se unë kam spiunuar për EULEX-in, UNMIK-un e UDB-në”, thotë Zeka.
Pati një përplasje jo të vogël me PDK-në, e sidomos në kohën e fushatës elektorale në bastionin e kësaj partie, në Drenas, por pas kësaj thotë që po i vijnë shumë kërcënime. Ai ka hapur edhe një rast në Policinë e Kosovës ku akuzon struktura të larta shtetërore, e në veçanti PDK-në për rrezikim të jetës. Media sjell detaje nga inicimi në Polici i rastit për kërcënime serioze ndaj Milaim Zekes, si dhe për padinë e tij kundër kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Milaim Zeka ka denoncuar të premten një sërë kërcënimesh, që sipas tij janë serioze dhe po e rrezikojnë jetën e tij. Ai denoncimin e ka bërë në Policinë e Kosovës dhe dokumentin që e dëshmon inicimin e këtij rasti ia ka prezantuar medias.
“E kam hapur rastin në Polici. Kërcënimet janë të natyrave të ndryshme, por janë serioze”, thotë Zeka për Express, të premten.
Milaim Zeka kohë më parë kishte nisur përplasjet me ish-kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin që tash është edhe kryetar i zgjedhur i këtij bastioni të partisë së Kadri Veselit dhe ku akuzat kishin shkuar deri në një luftë personale mediale mes tyre.
Kryetari Lladrovci e kishte akuzuar ndër të tjera Zekën se është “ai spiuni i misioneve ndërkombëtare, si UNMIK-u e EULEX-i”.
“Pas këtyre akuzave janë shtuar kërcënimet. Kam pranuar edhe informacion nga i afërm i imi, daja im që një grup i njerëzve në Drenicë kanë folur në tavolinë se ‘duhet ta kidnapojmë Milaim Zekën’ dhe krejt këto kërcënime si elektronike si të formave tjera i kam denoncuar në Polici dhe ata sot e kanë hapur rastin”, thotë për Express Zeka.
Ai beson që kërcënimet janë serioze dhe ato rrezikojnë jetën – jo vetëm atij, por edhe njerëzve rreth tij, dhe prandaj i ka deponuar në organet e rendit kosovar. Zeka në prononcim thotë se kërcënimet ndaj tij po vijnë nga struktura të larta shtetërore, me theks të veçantë nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Unë i bëj thirrje Kadri Veselit që të dalë e të e sqarojë se a qëndron ai prapa deklarimeve të Ramiz Lladrovcit se unë kam spiunuar për EULEX-in, UNMIK-un e UDB-në”, thotë Zeka dhe shton se janë së paku tre emra të fuqishëm të politikës kosovare që janë përgjegjës për rrezikimin e jetës së tij.
Ai ka zbuluar se pos denoncimit të sotëm në Polici ka bërë edhe një padi shtesë për deklarimin e lartpërmendur të Ramiz Lladrovcit se Zeka ka shërbyer në favor të misioneve ndërkombëtare.
“Ramizit nuk i kam bërë padi për shpifje, se me shpif mundet një rrugaç a dikush në Facebook, por atij i kam bërë padi për kërcenim. Akuzat e tij, kur kihet parasysh pozita e tij si kryetar i Drenasit, janë kërcënime që ma rrezikojnë jetën”.
Por gjatë këtyre ditëve që nga nisja e konflikti me PDK-në në përgjithësi dhe me Lladrovcin në veçanti, thotë që pos kërcënimeve ka pasur edhe lëvizje të dyshimta afër zyrës së tij.
“Kamerat e sigurisë në objektin ku e kam zyrën kanë kapur edhe persona që kanë vëzhguar lëvizjet e mia, pra persona që më kanë pritur e përcjellë, dhe kjo është serioze dhe e kam përmendur në Polici”, thotë Zeka.
Ai ka thënë se denoncimi i tij në Polici, për kërcënimet, nuk është vetëm për akteret e mundshëm të PDK-së, por edhe për persona të tjerë të partive organizatave tjera.
“Unë nuk e kam përmendur veç PDK-në dhe nuk kam shkruar e folur vetëm për ata, por ju e dini që kam pasur reagime edhe fjala bie për Dardan Molliqajn e Vetëvendosjes, grupet radikale fetare etj.”, thotë Zeka.
Zeka ka bërë me dije se pos denoncimit në Polici e ka njoftuar edhe Ambasadën e Suedisë në Kosovë si dhe KFOR-in për problemet me kërcënime që po i bëjnë nga, siç beson ai, struktura të larta shtetërore./ExpresS