Lladrovci thotë se s’ka konkurrentë në Drenas

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili është sërish kandidat për kryetar në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor, thotë se gjatë këtyre muajve sa e ka udhëhequr Drenasin, ka dëshmuar se e meriton ta udhëheq sërish këtë komunë, pasi që ka bërë punë të mëdha.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se për nominimin e tij për kryetar komune, ka vendosur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Ndërsa thotë se për këta muaj sa ka qeverisur Drenasin, jo që i ka përmbushur të gjitha premtimet, por dhe i ka tejkaluar ato.

“Arsye pse duhet të më votojnë dhe njëherë qytetarët e komunës së Drenasit, është sepse për tetë muaj rresht kam punuar ditë e natë për qytetarët e Drenasit. Të gjitha projektet që i ka votuar asambleja e komunës së Drenasit në shtatorin e vitit 2016, për projektet e 2017-tës, unë i kam përfunduar … Kam ngritur disiplinën në komunë; e kam ngritur disiplinën në shkollat tona; e kam ngritur disiplinën në shëndetësi, në të gjithë sektorët e jetës në komunën e Drenasit, kështu që unë kam qenë në shërbim të qytetarëve të Drenasit dhe kam dëshmuar se unë e meritoj të jem kryetar i komunës së Drenasit, sepse e çoj zhvillimin ekonomik të Drenasit më shpejt…Unë i kam realizuar premtimet dhe i kam tejkaluar premtimet”, tha Lladrovci.

E sa i përket shkarkimit të disa drejtorëve të shkollave në komunën e Drenasit, për të cilët është raportuar, kryetari i komunës thotë se ata nuk janë shkarkuar nga detyra, por nuk u është vazhduar kontrata, për shkak të performansës së tyre.

Lladrovci në këtë intervistë thotë se pakënaqësitë që disa nga zyrtarët e PDK-së kanë shprehur lidhur me rikanidimin e tij për kryetar të komunës, nuk do të ndikojë në votat e qytetarëve.

Ai thotë se nuk e ka humbur përkrahjen e administratës, por ka humbur ndoshta përkrahjen e atyre që janë mësuar që tërë ditën të rrinë në kafene dhe jo në punë.

Ndërsa kundërkandidatët e tij Lladrovci nuk i sheh si rrezik për të, pasi që thotë se ata nuk e kanë guximin dhe as vullnetin që të punojnë si ai.

“Në demokraci pra njerëzit kanë të drejtë me konkurru. Asnjë kandidat që është konkurrent për mua nuk e shoh pretendent, sepse nuk kanë ndonjë ‘background’ mbrapa tyre, që ata munden me qenë pretendentë të mi, dhe nuk kanë as vullnet, as guxim me i kryer punët më mirë se sa i çoj unë përpara për komunën”, tha ai.

Ramiz Lladrovci vitin e kaluar kishte fituar në raundin e dytë për kryetar të Drenasit pasi që në këtë komunë ishin mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dënimit të ish-kryetarit Nexhat Demaku.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme