Kryetari i tanishëm i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili po synon të qeverisë me këtë komunë edhe për katër vjetët e ardhshëm, gjatë mbrëmjes së djeshme tha se u sulmua nga disa persona.
Kur ai po përfundonte takimin me banorët e fshatit Tërstenik rreth orës 22, thotë të ketë pranuar një informatë nga anëtarët e partisë së tij se rreth 15 persona në dalje të fshatit po i ndalojnë veturat, të cilat kanë qenë në takimin elektoral.
“Informacione se një grup njerëzish po i ndalon njerëzit me forcë për të pa se kush është nëpër makina, pastaj unë kam kontaktu me komandantin e stacionit të policisë në Drenas dhe komandanti i ka njoftu policinë e cila ka ardhë në shoqërim ne lagjen Mulaj ku isha në takimin e fundit”.
Mirëpo, edhe pse ishte nën shoqërinë e Policisë së Kosovës, ata persona kishin arritur ta sulmonin veturën e tij personale, me të cilën po qarkullon gjatë fushatës.
Pas këtij veprimi, Lladrovci thotë të ketë kontaktuar me zyrtarë të Policisë së Kosovës në Prishtinë, e të ketë dhënë aty deklaratën, pasi, sipas tij, njësia policore në Drenas dështoi ta kryejë punën me profesionalizëm.
Gjatë ditës së sotme, Polica e Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar.
Pavarësisht insistimit të Kohavisionit, policia në qendër nuk ka komentuar akuzat e Lladrovcit për sjelljen e policisë në Drenas.