Gazetar: Ardit Ramadani
Praktika e deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike për t’ju përshtatur kritereve të punës në institucionet publike, nga java e ardhshme do të vështirësohet apo edhe pamundësohet. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka firmosur udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve. Sipas vendimit certifikatat, vërtetimet dhe kopjet duke u bazuar në librat amë do të ketë edhe shtyllën për përkatësinë etnike.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë udhëzimi synon parandalimin e deklarimit të rremë të përkatësisë entike gjatë punësimit.
“Autoritetet kompetente edhe pse të vetëdijshme për këtë fenomen, deklarimin e rrejshëm të etnisë deri tani s’kanë mundur që ta sanksionojnë me ligjet pozitive në vend. Nga hyrja në fuqi e këtij udhëzuesi për çdo keqpërdorim eventual do të mund të hapet procedurë për deklarim të rrejshëm”, njoftojnë nga Minsitria e Drejtësisë.
ALSAT disa herë ka informuar për raste kur në vendet e punës të rezervuara për shqiptarë, romë, turq, etj. punësoheshin qytetarë të përkatësisë maqedonase dhe anasjelltas. Rasti i fundit ishte me punësimin e tetë maqedonasve në komunën e Kumanovës, të cilët gjatë punësimit ishin deklaruar si shqiptarë.
Certifikatat e reja të lindjes sipas udhëzimit të ri, tashmë të nënshkruar nga ministri Krenar Lloga, do të fillojnë të lëshohen nga java e ardhshme ndërsa të kurorëzimit dhe të vdekjes nga 1 janari i vitit 2024 për shkak të kohës së nevojshme për institucionet. Balancuesi si mekanizëm për të siguruar përfaqësim të drejtë etnik në institucione ishte rezultat i Marrëveshjes së Ohrit. Keqpërdorimet e tij kanë filluar gjatë viteve të fundit kurse zgjidhja ishte premtuar disa herë, por pa rezultat. /Alsat.mk