Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim delegacionin e bizneseve nga Gjermania, të kryesuar nga zëvendës Ambasadori Jan-Axel Voss, drejtoresha Rajonale për Evropën Juglindore të Komisionit për Marrëdhëniet Ekonomike të Evropës Lindore, Anja Quiring, me të cilët biseduan për zhvillimet në sektorin e teknologjisë informative.
Lluka njoftoi për planin e parkut inovativ të Prizrenit, i cili veçse ka filluar të jetësohet.
“Me parkun teknologjik të Prizrenit ne duam që të jemi Qendër për Ekselencë Digjitale. Qendër kjo që ka fokus inovacionin, hulumtimet, zhvillimet dhe trajnimet për vendet fqinje. Ky projekt ka gjetur mbështetje dhe është përkrahur edhe nga donatorët dhe institucionet vendore, ku për vitin 2019 kemi siguruar 900 mijë euro për këtë projekt”.
Ai gjithashtu diskutoi edhe për projektin “Ekonomia Digjitale e Kosovës” me të cilin dhe synohet që të mbulohet 96% e territorit të Kosovës me internet të shpejtë e sidomos zonat rurale.
“Me përkrahjen e Bankës Botërore me shumën prej 26 milionë euro është lansuar projekti “Ekonomia Digjitale e Kosovës”, ku synohet që të mbulohet 96% e territorit të Kosovës me internet të shpejtë e sidomos zonat rurale. Një pjesë prej 20% të këtij fondi do tëshkojë në zhvillimin e aftësive për të rinjtë e Kosovës në fushat si programim, dizajn, e cila është një mundësi e mire për t’u vetëpunësuar”, tha ministri Lluka
Përfaqësuesit e Delegacionit Gjerman, u shprehen të interesuar që të investoj në shkolla profesionale dhe qendra të trajnimeve në sektorin e teknologjisë informative dhe po ashtu thanë se do të angazhohen të sjellin investime gjermane në Kosovë.
Ministri Lluka dhe përfaqësuesit e Delegacionit Gjerman në krye me Anja Quiring, u dakorduan që të bashkëpunojnë edhe më shumë në sektorin e TIK.



