Gazetar: Adnan Qaili
Në gjithë vendin vetëm tri linja hekurudhore janë aktive për transport të udhëtarëve, shkruan Alsat.
Linjat në drejtim të Tabanocit, Kërçovës dhe Koçanit nuk funksionojnë fare.
Linjat për Kërçovë dhe Koçan janë joaktive për shkak të mungesës së trenave, ndërsa linja për në Tabanocë për shkak të mungesës së makinistëve, thonë autoritetet.
Ndërsa linjat nga Shkupi drejt Manastrit, Velesit dhe Gjevgjelisë janë aktive, por të rralla.
“Nëse të ka ikur ky tren, duhet të presësh së paku 2-6 orë për të ardhur treni tjetër. Kjo është një nga arsyet përse qytetarët evitojnë transportin hekurudhor për shkak të pritjeve të gjata. Apeli i tyre është që të ketë linja më të shpeshta të këtij lloji të transportit”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
Në kohë krize të shtrenjtimit të derivateve, qytetarët kanë nisur ti rikthehen transportit me trena, por ata që udhëtojnë në zona të largëta thonë se për një punë të vogël të Shkup iu shkon dita nëpër stacion.
“Gjithë ditën sepse nuk ka trena, ja unë kam kryer punë ora 10 dhe e kam patjetër të pres deri ora 13. Do ta them unë problemin, ndërprerja linjës për Koçan dhe Kërçovë, nuk ka trena e as vozitës, po ta them personalisht se vet punoj këtu. Ky është problemi më i madh!”, thotë një qytetar.
“Ne nuk vozisim vetura se jemi të moshuar dhe kjo na përshtatet më mirë. Duhen trena, por edhe njerëzit nuk i përdorin shumë, të rinjtë më tepër me vetura”, shprehet një qytetar tjetër.
“Më leverdisë, 400 denarë e kam biletën kthyese me tren. Ndërsa me autobus po të shkoja do shpenzoja 1,000 denarë sepse 800 denarë do më kushtojë bileta kthyese, këtu duhet ta vërtetoj në stacion ato më marrin plus 50 denarë, thjeshtë më del shumë”, thekson një qytetar.
Nga Ndërmarrja Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” thonë se kanë problem me pjesët rezervë të trenave.
Sipas tyre, periudha e dorëzimit nga prodhuesit është mjaft e gjatë, pasi ato janë seri më të vjetra të trenave, kështu që ndonjëherë ka mungesë të disa pjesëve rezervë.
Ndërmarrja e transportit hekurudhor fajin e hedh tek kompanitë që kanë marr tenderin e furnizimit me pjesë rezervë nga prodhuesit e ndryshëm, madje ankesa të shumta kanë edhe për mungesë të financave./ Alsat.mk