Në kohën kur kanë mbetur edhe dy javë kohë deri në skadimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Artan Grubit, VLEN akuzon Prokurorinë për zhvillimin e hetimit me siç thotë, hapa breshke. Nga VLEN ngrenë dyshimin nëse zvarritja e procedurës lidhet me një bashkëpunim të mundshëm të Grubit me hetimin.
“Artan Grubi nuk është dosido ish-funksionar. Ai është kutia e zezë e BDI-së. E di kush i tërhiqte pejtë, kush i ndante pazaret dhe në cilët xhepa përfundonin paratë e kumarit. Prandaj, Ali Ahmeti ka arsye të flejë me njërin sy hapur e tjetrin te Grubi. Për t’ia hequr sikletin Ali Ahmetit dhe për t’i dhënë opinionit një pasqyrë të qartë, VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehtas me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin “Lotaria”, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane.” – VLEN.
VLEN kritikon mosveprimin e prokurorisë edhe rreth rastit tjetër për të cilin Grubi hyri në listën e zezë amerikane, respektivisht përfshirjen e tij së bashku me gjykatësin Evner Bexheti në korrupsion të lartë, duke pranuar ryshfet për ta liruar nga burgu Sasho Mijallkovin.
BDI, nga ana tjetër akuzat e VLEN-it i cilëson presion skandaloz ndaj drejtësisë. Nga partia e Ahmetit thonë se paaftësinë e vet dhe dështimin e tërësishëm, VLEN tenton ta kamuflojë me përndjekje politike dhe presion ndaj prokurorisë.
“Vlen le të nisë denoncimet nga radhët e veta, si për shembull Izet Mexhiti dhe Visar Ganiu për mbi 250 milionë euro dëm me ndërtimet pa leje, Burim Latifi mbi 19 milionë euro dëm buxhetit, Nedim Rama dhe keqbërësit e tjerë nga radhët e tyre”. – BDI.
Ndëraq, gjashtë muaj pas dorëzimit, Prokuroria Publike akoma nuk ka arritur ta dëshmojë veprën penale për të cilën dyshohet ish zëvendëskryeministri, Artan Grubi. Deri tani gjithçka që është thënë për opinionin është njoftimi se Grubi dhe mbrojtja e tij juridike janë duke u njohur me provat në procedurën hetimore, por mbi një vit e gjysmë pas kallëzimit penal, prokuroria nuk po arrin ta përkthejë në akuzë ose ta hedhë poshtë dyshimin për “mashtrim në shërbim”, hetim që i referohet organizimit të lojërave të fatit dhe tenderit për aparate VLT.
Në dhjetor të vitit 2024, Grubi kishte nuhatur ndjekjen penale ndaj tij. U arratis nga shtetit për të njoftuar më 15 dhjetor se është për vizitë private dhe se do të kthehej sapo t’i përfundonte obligimet. Ai iu vetëdorëzua autoriteteve në pikën kufitare të Bllacës, 14 muaj më vonë, respektivisht më 23 shkurt të këtij viti.
Së bashku me Grubin, i dyshuar për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore është edhe ish drejtori Përparim Bajrami i cili vazhdon të jetë në arrati, por edhe disa persona të tjerë. Dëmi sipas Prokurorisë është mbi 8 milionë euro, ndërsa për veprën parashikohet dënim me burg prej së paku 4 vjet. /alsat.mk
The post Lotaria, përplasje VLEN-BDI për hetimin ndaj Grubit appeared first on Alsat.



