Fatlume Dervishi
Ashtu siç afrohet e premtja kur skadon afati për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të LSDM-së, shtohen zërat për kandidatë të tjerë të mundshëm. Drejtori i Zonave teknologjike industriale zhvillimore Jovan Despotovski, mendon seriozisht të dorëzojë programin e tij por do të shfrytëzojë edhe një ditë për të vendosur.
“Seriozisht mendon për këtë. Vlerësoj se kam rezultate reale në angazhimin tim profesional dhe ashtu vlerësoj se mund të ofroj edhe koncept të ri rreth të cilit do të bashkohet jo vetëm partia por edhe shoqëria. Vendimi nuk është i lehtë. Sfida është e madhe, koha është mjaft e komplikuar dhe përgjegjësia është e madhe. Vendimin do ta komunikoj nesër sepse dua edhe sot ta shfrytëzoj kohën të konsultohem me të afërmit dhe me familjen.”- deklaroi Jovan Despotovski, drejtor i Zonave teknologjike industriale zhvillimore.
Nga ana tjetër, në një intervistë për “24 Vesti” ish shefi i DSK-së dhe këshilltari i Zoran Zaevit, Mile Zeçeviq, paralajmëroi kandidim eventual, por fillimisht do të bëjë vlerësim nëse kandidatura e tij do të mund të ndikojë në unitetin e partisë ose në mënyrë plotësuese mund të përkeqësojë kushtet brenda saj. Zeçeviq e vlerëson vetën më të kualifikuar se kandidatët e tjerë për kryetar të LSDM-së por mendon se Zaevi duhet të mbetet kryeministër.
Alsat drejtoi pyetje në LSDM, për atë se si i vlerësojnë nga partia këto paralajmërime për kandidatura të reja. Nga partia e Zoran Zaevit nuk komentojnë. Vetë Zaev kishte deklaruar mbështetje për tashmë kandidatin zyrtar Dimitar Kovaçevski, i cili aktualisht është në pozitën e zv/ministrit të Financave.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të ardhshëm të LSDM-së skadon nesër kurse zgjedhjet e drejtpërdrejta brendapartiake mbahen më 12 dhjetor.