Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti publikoi disa vërejtje administrative të cilët janë dhënë ndër vite ndaj ministrave të Mjedisit Jetësor. Sipas tij, vërejtjet e Inspektoratit Shtetëror Administrativ i referohen një praktike të zbatuar gati 10 vjet. Ndaj vendimit është dërguar ankesë, ndërsa ditë më parë edhe Ministria e Administratës qartësoi se bëhet fjalë për kontroll të rregullt.
“Është inspektim i rregullt. Ka dhënë një sugjerim, jo për kompetencat dhe shkeljet ligjore por ka të bën më një praktikë të vendosur më herët. Ndaj këtij mendimi të inspektoratit është dhënë ankesë për të parë nëse kjo praktikë duhet të vazhdon ose jo. Por këtë praktikë nuk e kam vendosur unë por rezulton nga viti 2016 nga ministri i BDI-së Nurhan Izairi, Bashkim Ahmeti, Sadulla Duraku, Naser Nuredini dhe në fund ministrja e LSDM-së, Kaja Shukova”, deklaroi Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Por LSDM-ja pavarësisht rrethana, dokumentet që para tre dite i shpalosi BDI-ja, sot i morri dhe ia dorëzoi kryeministrit Hristijan Mickoski. Socialdemokratët të cilët fillimisht akuzuan për marrje të kompetencave, tani akuzojnë se ka dyshime për korrupsion.
“Këtu është qartë e theksuar se Inspektorati Shtetëror Administrativ ka konstatuar parregullsi se Mexhiti i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i nënshkruar personalisht të gjitha lëndët. A ka bërë shkelje në këtë mënyrë me qëllim që të vendos kontroll të plotë dhe kushte ndaj kompanive dhe qytetarëve?”, tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor sot në mënyrë plotësuese sqaruan se mbikëqyrja e rregullt inspektuese ka të bëjë ekskluzivisht me aspektet teknike të punës arkivore dhe në zyrë. Sipas tyre nuk është konstatuar asnjë keqpërdorim i pozitës zyrtare apo veprime të tjera në kundërshtim me ligjin. Nga ky dikaster kanë shtuar se Inspektorati Administrativ ka vepruar sipas programit të rregullt të punës dhe nuk bëhet fjalë për veprim sipas ndonjë njoftimi apo konstatimi të një gabimi në procedurë. /Alsat.mk