LSDM po emëron koordinatorë aty ku ministrat janë shqiptarë?!

Qeveria e Maqedonisë do ta ketë edhe një koordinator të ri. Kësaj radhe kultura si duket ka nevojë të koordinohet edhe më tepër dhe këtë do ta bëjë Robert Allagjozovski, i cili sa ka qene ministër si duket nuk ka mundur ti koordinoj punët si duhet. Emërimi i tij ishte krejt i befasishëm për opinionin publik dhe kjo u bë e ditur në momentin kur në vend të tij erdhi një kuadër i Lëvizjes BESA, Asaf Ademi, shkruan gazeta KOHA.
Emërimi i Allagjozovskit në këtë funksion ka hapur disa dilema, të përcjella me habi se si mund të ndodhë që përkundër një strategjie nacionale në kulturë miratuar nga Qeveria, sipas së cilës do të punojë edhe Ministria e Kulturës, shpiket një dikaster paralel që do të merret me koordinime. Nëse kjo strategji është përpiluar për të vënë në funksion politikat kulturore në vend, është e paqartë se çka ka nevojë për mbivendosje të funksioneve, kur mjafton Ministria e Kulturës të jetë bartëse dhe finalizuese e këtyre politikave.

FAJI I LIDERËVE SHQIPTARË

Nga Qeveria konfirmojnë për gazetën KOHA se Robert Allazgjovski para se të lë postin e ministrit është emëruar në postin e ri me propozim të kryeministrit.

“Në seancën e parafundit qeveritare, me propozim të kryeministrit, Qeveria ka marrë vendim të emërojë Robert Alazgjovskin koordinator nacional për zhvillimin e kulturës dhe bashkëpunim ndërministror. Kjo do të thotë se ai tashmë ka marrë funksion të ri në qeveri”, thotë Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

E proklamuar si reformatore, që do të promovonte një frymë tjetër në qeverisje, Qeveria e Zaevit megjithatë nuk po tregohet imune ndaj praktikave negative të politikave të Gruevskit. Ashtu si në qeverinë pararendëse kur shpikeshin poste për të relativizuar rolin e ministrave shqiptarë, siç ishte rasti me ngritjen e njëfarë Këshilli për mbikëqyrje të reformave në gjyqësor, kur ministër i Drejtësisë ishte kuadri shqiptar, apo posti i zëvendëskryeministrit për Çështje ekonomike, që ishte sajuar për të lënë gjithashtu nën hijen ministrin shqiptar të Ekonomisë, edhe tani kryeministri Zaev e vazhdon stilin njëjtë duke emëruar koordinator të cilët pa pasur nevojë do të bëjnë punët e njëjta të ministrave shqiptarë.

Kur kësaj i shtojmë edhe listën e gjatë prej 47 personave të angazhuar në kabinetin e kryeministrit, mund të kuptohet se jo pa qëllim punohet në drejtim të krijimit të njëfarë vasaliteti të ministrave shqiptarë kundrejt të ashtuquajturve koordinatorë nacional, që “rastësisht” qëllojnë të jenë maqedonas. Sipas kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, kjo dukuri e krijimit të posteve paralele flet për margjinalizimin e plotë të shqiptarëve në sistemin e qeverisjes.
“Ky është sukses i partive maqedonase, të cilat duan ta bindin opinion maqedonas se shqiptarët në sistem janë vetëm për dekor. Praktikisht, partitë maqedonase parapëlqejnë të kenë njerëz të paaftë nëpër pozita të rëndësishme pastaj përmes trukeve institucionale, ua marrin kompetencat dhe me këtë ua lidhin duart. Kjo gjithsesi iu konvenon këtyre njerëzve në sistem, sepse në fakt – ata as që kanë ide çfarë duhet të punojnë atje. Mund të jenë veç cirkuzant në qeveri, aq”, thekson Naser Selmani. Ai kritikon ministrat shqiptarë të cilët nuk imponohen dhe më tepër punojnë për interesa individuale e grupore se sa të përgjithshme.

Sipas tij, për një gjendje të tillë kanë faj edhe liderët e partive politike shqiptare. Ndërkaq profesori i Administratë publike në Universitetin “Nëna Terezë”, në Shkup, Argëtim Saliu, në aspektin formal i arsyeton veprimet e kryeministrit duke marrë si shembull shtetet e zhvilluara Perëndimore. Por në Maqedoni, sipas tij, postet paralele bëhen për të ushtruar kontroll ndaj ministrave dhe për ti diskredituar. Ai është i mendimit se në Ballkan ende dominon mentaliteti i vjetër arkaik, ku pozicioni këshilltar dhe koordinator bëhet me qëllim të sistemimit të aktivistëve apo atyre që kanë kontribuar për subjektin politik që tani më është pjesë e pushtetit. Ai shton se e gjitha qëndron tek pazari-marrëveshja politike për formim të qeverisë.
“Nëse gjatë negociatave do të arrinin që për të gjitha dikasteret saktësisht ti përcaktojnë të gjitha pozitat udhëheqëse, atëherë këto gjëra nuk ndodhin. Por nga përvoja, partive politike shqiptare nuk u shkon mendja për pozicionet tjera për koordinator apo këshilltar, por për eshalonin e parë, të dytë dhe të tretë”, thotë Argëtim Saliu.
Sipas Sociologut politik Ali Pajaziti emërtimet e reja qeveritare janë entitete sipërane mbi ministrat shqiptar që, siç thotë ai, reflektojnë mosbesim ndaj kuadrove shqiptar.
“Fenomeni apo emërtimi ‘koordinator nacional për…’, ‘këshill për mbikëqyrje’, janë ‎entitete sipërane mbi ministrat shqiptarë e që reflektojnë një psikologji dhe mendësi ‎mosbesimi ndaj kuadrove politike dhe profesionale shqiptare, për raporte jokohezive dhe ‎joorganike brenda Qeverisë Zaev. Këto kreatura të panatyrshme dhe me ngjyrime ‎segregacioniste flasin për politikbërje etnike, etnocentrike, jo nacionale-shtetërore, por, ‎ndoshta edhe për pafuqinë e faktorit shqiptar në ekzekutiv, të jemi vetëkritikë, ndoshta janë ‎‎’efekt’ i dobësive të treguara nga kuadrot partiake tona brenda viteve, që tani gjenerojnë ‎trupa sui generis, absurdë, që perceptohet si njëfarë ‘asistence e detyrueshme’ apo “kontroll ‎që i siguron qeverisë efiçiencë më të madhe”, thotë Ali Pajaziti.

KËTA JANË 6 KOORDINATORËT KOMBËTARË TË ZAEVIT

Lidhur me lartësinë e pagave të cilat i marrin koordinatorë, është diçka nën nivelin e pagave ministrore. Qeveria për momentin i ka katër koordinatorë kombëtarë, sipas asaj që është publikuar në ueb faqen e saj, ndërsa me dy të rinjtë numri i tyre arrin në gjashtë. Koordinator kombëtar për menaxhim kufitar është Vlladimir Pivovarov. Ai ka edhe zëvendës, Bajram Berat. Stevo Pendarovski është koordinator kombëtar për përgatitjen e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO, Pavle Trajanov është koodinator kombëtar për zbatimin e platformës kombëtare për zvogëlimin e rreziqeve prej fatkeqësive dhe katastrofave të Republikës së Maqedonisë.

Koordinator kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit është Borçe Petrevski. Ai i ka dy zëvendës – njërin për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, Xheladin Ajvazi dhe njërin për luftë kundër terrorizmit, Zllatko Apostollski. Koordinator kombëtar i Kulturës u emërua Robert Allagjozovski, pasi u ndërrua nga funksioni ministër i Kulturës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme