Nga: Tomislav Markoviq /Al Jazeera (Titulli origjinal: “Heronjtë e panjohur: Shqiptarët dhe boshnjakët në uniformën serbe”)
Përktheu: Telegrafi.com
Frazën mjaft të njohur se hapësirat tona vuajnë nga teprica e historisë, mbase duhet ta zëvendësojmë me një tezë paksa më modeste – se vuajmë nga teprica e keqkuptimeve për të kaluarën.
Po, këto vendet tona janë pushtuar me më shumë histori seç mund të durojë një njeri i gjallë. Por, është më e padurueshme se si falsifikohet ajo që ndodhi, se si ajo përshtatet me stereotipat nacionalistë dhe se si ekspozohet ndaj rishikimeve të pamëshirshme aq sa nga faktet nuk lihet asnjë gur pa lëvizur. Në këtë punë të rishkrimit të së shkuarës, sipas qasjeve ideologjike, prej dekadash marrin pjesë historianë, intelektualë të drejtimeve të ndryshme, si dhe përfaqësues të zellshëm të elitave politike.
Fatmirësisht, ka edhe historianë që kujdesen për faktet dhe për imazhin e vërtet të së kaluarës; nga ata që me përpjekjet e tyre të vlefshme përpiqen të korrigjojnë stereotipat e grumbulluar dhe keqkuptimet për kohët e shkuara.
Me këtë qasje u shkrua libri i shkurtër “Mes diskriminimit dhe integrimit të paplanifikuar: Shqiptarët dhe boshnjakët në uniformën serbe, 1914-1918”, botuar vitin e kaluar nga Qendra për Studime Historike dhe Dialog. Autorë të këtij botimi në tri gjuhë (serbisht, shqip dhe anglisht) janë historianët e brezit të ri, Danilo Sharenac dhe Aleksandar R. Miletiq.
Dyshja e historianëve e nisi punën nga falsifikimi që u lansua në vitin 2014, nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomislav Nikoliq. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në përkujtimin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore në Belgjikë, në Ipre, meqë ishte planifikuar që në atë manifestim përkujtimor të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës.
Zyra e presidentit njoftoi edhe arsyet e heqjes dorë nga kjo. Sipas tyre, “minoriteti shqiptar nuk ka pasë asnjë rol në Luftën e Parë Botërore, për t’i renditur ata në mesin e fituesve e për t’i trajtuar njëjtë me Serbinë”. “Veçernje Novosti” menjëherë i pyeti historianët se çfarë mendonin për këtë ndodhi të pakëndshme dhe ata u përgjigjën njëzëri se shqiptarët nuk kontribuuan në fitoren e aleatëve, në Luftën e Parë Botërore. Kështu, për shembull, historiania Mira Radojeviq ka shkruar:
“Me siguri që shkencëtarët dhe historianët nuk kanë të dhëna për kontributin e shqiptarëve të Kosovës në betejat e aleatëve në Luftën e Madhe, meqë kontributi i tyre as që ka ekzistuar. Nuk ekziston”, teksa ftesën e Kosovës për ta shënuar njëqindvjetorin e interpretoi si “fyerje tjetër të madhe për Serbinë”.
Sharenaci dhe Miletiqi theksojnë se “opinioni profesionist serb ka qëndrim të ngjashëm ndaj rolit që kanë luajtur paraardhësit e boshnjakëve të sotëm në Luftën e Parë Botërore”, dhe e përmbledhin thelbin e qasjes së të tillë tek “Vecernje Novosti”: “Përfundimet a priori, në bazë të premisave të intolerancës etnike, janë dhënë në vend të analizave të pavarura dhe burimeve historike”:
Pasojat e trajtimit të tillë të çoroditur të historisë janë katastrofale: “Lënia anash e kërkimeve të kësaj teme dhe të tjerave të ngjashme në fushën e marrëdhënieve ndëretnike, kontribuon në fitoren e harresës, por gjithashtu lanë vend për interpretime mitologjike, ekstreme dhe joshkencore”.
Sharenaci dhe Miletiqi kujtojnë se pas Luftërave Ballkanike, banorët e të ashtuquajturës Serbia e Vjetër (Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku) ishin qytetarë të dorës së dytë. Për ta vlente “Kushtetuta e shkurtuar” e parashikuar me dekretin mbretëror të nëntorit 1913.
“Gjysma e neneve kushtetuese që ishin në përdorim në pjesën tjetër të vendit, u hoqën nga kjo Kushtetutë”, shkruajnë autorët. Ndër ato nene ishin ato që e rregullonin lirinë e shtypit, të drejtën për të organizuar mitingje politike, të drejtën e votës së qytetarëve, si dhe kompetencat legjislative të Kuvendit Kombëtar (procedurat e zgjedhjes dhe të autorizimit të vetëqeverisjeve lokale dhe komunale, si dhe dispozitat që garantojnë paanshmërinë e autoriteteve gjyqësore dhe rregullsinë e procedurave gjyqësore).
Sipas raportit të institutit Carnegie, zonat e aneksuara nga Serbia kishin nivel më të ulët të të drejtave në vetëqeverisjen lokale sesa në Perandorinë Osmane para “çlirimit”.
Autorët e përmendin shembullin e mirë të Dimitrije Tucoviqit, “në dritën më të mirë të së majtës së angazhuar e humaniste, që protestoi kundër politikës perandorake serbe kundrejt shqiptarëve”. Ai ishte i pari që e përcaktoi politikën e Serbisë si koloniale, teksa shkruante se me qëndrimin e saj ndaj territoreve të pushtuara “ajo hyri me krenari në shoqëritë koloniale të anglezëve, holandezëve, francezëve”.
Shembujt e tillë ishin dhe mbeten të rralla, meqë ende dominon ajo rryma intelektuale që të gjitha dukuritë në botë i vëzhgon nga shkurret kombëtare – përmes nishanit të këndvështrimit serb.
Kur nisi Lufta e Parë Botërore, i njëjti shtet që e diskriminonte popullsinë e zonave të reja vendosi ta bënte mobilizimin e popullatës atje. Komanda kishte nevojë për të gjithë njerëzit në dispozicion, për luftë, e disa nga oficerët e shihnin mobilizimin si formë integrimi. Autorët e citojnë një studim të gjeneralit Damjan Popoviq, të komandantit të trupave në zonat e reja, dërguar Komandës Supreme:
“Do të ishte mirë që nga ana myftinjve dhe hoxhallarëve të mund të ndikonim që myslimanët këtë rekrutim ta kuptojnë së pari si dëshirë tonën, që t’i barazojmë me ne në çdo gjë, madje edhe t’i lejojmë të shërbejnë në ushtri. Popoviqi thekson më tej se rekrutëve të rinj duhet t’u lejohet t’i kryejnë ritet e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë siç bënë gjatë shërbimit të tyre në ushtrinë turke dhe siç u lejohet atyre në ushtritë franceze dhe angleze”.
Është i qartë qëndrimi diskriminues i gjeneralit ndaj myslimanëve: Shteti do të jetë aq i butë sa do t’i lejojë ata ta barazojnë veten me qytetarët tjerë, duke ua mundësuar atyre që të vdesin për shtetin. Kur duhej të barazohej popullsia e re me qytetarët e tjerë në të drejtat e tyre, në veprim ishte një “Kushtetutë të shkurtuar” e, kur duhet të vdisnin ata, të gjithë ishin të barabartë.
Siç kanë thënë Sharenaci dhe Miletiqi, “procesin e emancipimit të myslimanëve gjenerali e kuptonte me barazimin e tyre me qytetarët e tjerë të Serbisë, në aspektin e obligimeve qytetare e jo të të drejtave – para së gjithash në aspektin e obligimit më të madh dhe më të vështirë, në rendin e parë, kinse në mbrojtjen e vendit nga armiqtë. Imitimi i modelit francez dhe anglez i sundimit kolonial i konfirmon qartë kritikat e Tucoviqit për organizimin e administratës serbe në zonat e aneksuara”.
Mobilizimi nisi në dhjetor 1914 dhe në janar 1915, ndërsa deri në mars, në Nish – ku bëhej trajnimi ushtarak – ishin rreth shtatë mijë myslimanë, pothuajse dy regjimente. Gjysma e rekrutëve morën pjesë në mbrojtjen e Beogradit në vjeshtën e vitit 1915, gjë që pothuajse u fshi plotësisht nga kujtesa kombëtare.
Batalionet myslimane ishin nën komandën e kolonelit Dushan Tufexhiq. Bogosav Vojnoviq-Pelikan – që ishte pjesëmarrës në betejat për mbrojtjen e Beogradit – ka lënë dëshmi të guximit të ushtarëve myslimanë, veçanërisht të njësisë nën komandën e tetarit Shemsa Midoviq që ofroi “mbrojtje vendimtare dhe më këmbëngulëse ndaj austriakëve në qendër të Beogradit”. Vojnoviq në kujtimet e tij për luftën për Beogradin, ndër të tjera ka shkruar:
“Nën komandën e menduar të kolonelit Tufegxhiq, këto dy batalione u treguan të denja për armët serbe, ndërsa barrikada e tyre në Administratën e Fondit përballë Teatrit, nën komandën e tetarit Shemsa Midoviq nga Senica, më së gjati u rezistoi austriakëve që sulmuan nga Dorçoli. derisa gjermanët nuk depërtuan prej lagjes London”.
Batalioni i tretë mysliman u vendos në portin e Danubit, ku ndodhej pozicioni më kritik, ndërsa i katërti ishte në Ada Ciganli. Bogosav Vojnoviq-Pelikani ka shkruar për këtë të fundit, si në vijim:
“Trupat që arritën të kalojnë në Adë, u shkatërruan thjesht nga ekuipazhi ynë me një batalion të regjimentit të shtatë të togës së dytë dhe nga batalioni i dhjetë i togës së kuadrove (myslimanë)”.
Oficeri Vasa Eshkiçeviq la një dëshmi për guximin e shqiptarëve që morën pjesë në përleshjet në rrugë:
“Se sa të tmerrshme ishin betejat në Beograd shihet nga fakti se çeta e Sremit humbi dy të tretat e njerëzve dhe prej dyqind xhandarëve vetëm katër mbetën gjallë. Betejat ishin veçanërisht të përgjakshme kah Ura e Savës, drejt gypave të topave dhe Sllavijsë. I gjithë batalioni i gjermanëve veproi duke gjuajtur nga pozicioni në këmbë, e kur iu afruan gypave të topave, ndaj tyre vërsulen si rrëqebuj komitët serbë dhe një trupë e ushtarëve arnautë (shqiptarë – v.j.), me bomba e bajoneta në pushkë, dhe për më pak se 10-15 minuta e gjithë zona ishte e mbuluar me kufoma të armikut. Arnautët tanë, edhe pse rekrutë, e bënë një mrekulli prej heroizmi”.
Të gjitha këto akte heroike janë zhdukur pa lënë gjurmë nga versioni zyrtar i historisë që e mbrojnë zyrtarët shtetërorë dhe historianët nacionalistë, sepse nuk përshtaten me narrativën e etnifikuar. Pavarësisht harresës sistematike e të organizuar, faktet vazhdimisht dilnin në sipërfaqe, fjalë për fjalë.
Nëpër Beograd e rrethinë mbinë varrezat e ushtarëve të rënë, ndaj ndodhte që skeletet të dalin nga toka, siç ndodhi gjatë punimeve për rindërtimin e Kalasë së Beogradit në qershor të vitit 1935, afër Kishës së Ruzhicës. Në atë kohë, veteranët e luftës nga “Shoqata e Mbrojtësve të Beogradit”, e organizuan një tubim përkujtim në të cilin përveç liturgjisë ortodokse u mbajt edhe një sipas riteve të fesë katolike dhe islame. Veteranët e dinin mirë se cilët ishin shokët e tyre të luftës.
Sharenaci dhe Miletiqi thonë se rreth eshtrave të gërmuar mbin edhe legjendat. I tillë është rasti me heroin e panjohur që u varros në Avalë në tetor të vitit 1915, me mbishkrimin në gjermanisht, “Ein unbekannter serbischer Soldat”. Rreth atij varri u krijua legjenda për një hero të panjohur, ndërsa u përhap fjala se aty ishte varrosur boshnjaku Sulejman Baliqi prej Duga Polanës, një vend që ndodhet mes Senicës dhe Novi Pazarit.
Historianët thonë se heroi i panjohur ka shumë të ngjarë të ketë vdekur “natën mes 13 dhe 14 tetorit 1915, si pjesë e Detashmentit të Kombinuar Serb” që pasqyronte “strukturën e larmishme etnike të Serbisë së atëhershme”. Ata gjithashtu theksojnë se anëtarët e komisionit për ngritjen e monumentit të heroit të panjohur kanë lënë një procesverbal të detajuar të zhvarrosjes nga viti 1921, ku përfshihej një listë e objekteve të gjetura, si dhe një autopsi mjekësore. Fatkeqësisht, nuk kishte informacione të mjaftueshme për të përcaktuar saktë identitetin e ushtarit të ri që të vrarë.
Historianët thonë se kohëve e fundit misterin e ka zgjidhur studiuesi Branko Bogdanoviq, aq sa kjo ishte e mundur. Në përfundim të punimit të tij, Bogdanoviqi ka shkruar:
“Me sa duket, heroi i panjohur është një nga njëzetvjeçarët nga zona ushtarake e Ibrit, nga Sanxhaku, i ftuar për shërbim të rregullt ushtarak në regjimentin e 10-të të kuadrove të nënkolonelit Momçiloviq. Kjo shpjegon edhe mungesën e simboleve të luftës që nuk u janë ndarë me kohë ‘kuadrove’ nga ‘viset e reja’. Këtë e dëshmojnë edhe nallanet e lidhura me kabllo telegrafi, të cilat ishin ‘privilegj’ në raport me opingat e sulmuesve të dytë dhe të tretë”.
Është e pamundur të përcaktohet nëse ai ishte Sulejman Baliqi, por mund të thuhet me shumë besim se heroi i panjohur, simboli i ushtrisë serbe në Luftën e Parë Botërore, në të vërtetë është një boshnjak nga Sanxhaku.
Në fund të librit, Sharenaci dhe Miletiqi përkujtojnë se “nga 707 mijë qytetarë të Mbretërisë së Serbisë që kaluan nëpër ushtrinë serbe gjatë viteve 1914-1918, 50-60 mijë prej tyre ishin katolikë dhe myslimanë nga ‘Zonat e reja’. Ky fakt praktikisht është fshirë nga rrëfimi zyrtar i Luftës së Parë Botërore, i cili interpretohet ekskluzivisht në aspektin kombëtar serb. Historianët me të drejtë besojnë se ‘episodi historik në të cilin ushtarët e rekrutuar nga këto komunitete pakicë e mbrojtën kryeqytetin e një shteti që i diskriminoi ata, ndoshta nuk është konteksti më i duhur për një pikëpamje afirmative të marrëdhënieve mes komuniteteve etnike’. Megjithatë, hulumtimi dhe sqarimi i kësaj pjese të historisë do të kontribuonte në ‘tejkalimin e narrativës së thjeshtuar etnocentrike dhe jokritike të historisë bashkëkohore serbe’”.
Raporti ndaj këtij episodi historik duhet të konsistojë në pranimin e faktit se minoritetet kanë marrë pjesë në ushtrinë serbe, por duhet të nënkuptojë edhe “pendesën për keqtrajtimin ndaj të cilit janë nënshtruar pjesëtarët e atyre popujve, si dhe mirënjohjen e komunitetit të gjerë për meritat e tyre”. Udhëzues për vështrim më real të së kaluarës është pikërisht shembulli i Dimitrij Tucoviqit i cili e kritikoi diskriminimin ndaj popullatës joserbe, “qëndrimi i të cilit ndaj shqiptarëve u inkorporua më vonë në politikën zyrtare të Jugosllavisë socialiste”.
Kundërrevolucioni nacionalist, i cili rezultoi në luftëra, krime dhe shkatërrim të tolerancës etnike, e shkatërroi trashëgiminë e Dimitrij Tucoviqit dhe i shkatërroi të gjitha arritjet pozitive të socializmit. Ky dezintegrim i qytetërimit bëri të mundur falsifikimin e së kaluarës dhe fshirjen e pjesëve të tëra të historisë që nuk përshtaten me historinë zyrtare nacionaliste.
Prandaj, libri i Danilo Sharenacit dhe Aleksandar R. Miletiqit është shumë i vlefshëm, sepse me fakte i kundërshton gënjeshtrat nacionaliste, legjendat e kopallat. Në vend të një të shkuare të stilizuar të përshtatur nga ideologjia retrograde, autorët na ofrojnë të vërtetën historike.
Dhe, ata na kujtojnë se puna e historianëve është të merren me shkencë dhe me fakte të cilat i kemi harruar dekadat e fundit – për shkak të veprimtarive parashkencore të ideologëve të ndryshëm nën petkun e historianëve – e jo me prodhimin e mitologjisë nacionaliste.