Lufta e parë kibernetike e botës

Kundër Putinit duhet ta marrësh vetë situatën në dorë. Kështu mendoi ndoshta ushtria amerikane kur kreu sulme kibernetike kundër shërbimit sekret rus. Por Putini do të kundërpërgjigjet, është i sigurt Konstantin Eggert.

Sipas një raportimi të gazetës amerikane “Washington Post”, komandoja kibernetike e ushtrisë amerikane e krijuar pak më kohë më parë e bllokoi tërësisht në ditën e zgjedhjeve për kongresin amerikan hyrjen në internet të “Agjencisë për Studimet e Internetit” të Shën Peterburgut, e njohur edhe si “ushtria robotike” e Kremlinit. Kjo solli shqetësim dhe irritim tek funksionarët në Rusi. Sipas të dhënave të gazetës, kjo agjenci fshihet pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016 dhe aktiviteteve të tjera në shtetet perëndimore. Me gjasë ajo financohet nga miliarderi Jevgeni Prigoshin, që thuhet se ka lidhje të afërta me Putinin. Ai dyshohet edhe si dora që paguan milicët rusë në Ukrainën Lindore, Siri dhe Afrikë.

Ekspertët e ushtrisë amerikane ia kanë dalë të kapin mailat dhe shkëmbimet e njoftimeve të punonjësve të njësive kibernetike të shërbimit sekret rus. Ushtria amerikane ka lënë lajme, që në sytë e rusëve nuk duhet të lenë asnjë dyshim: ata njihen dhe vëzhgohen.

Luftë josimetrike

Putini e ka parë perëndimin deri më tani si të dobët, por më shumë ka pritur një qëndrim defensiv. Gjithmonë ai ia ka dalë të jetë një hap më përpara, qoftë në luftën në Gjeorgji në vitin 2008, në vitin 2014 në Ukrainë, në vitin 2015 në Siri e atë 2016 në SHBA. Nëse raportimi i “Washington Post” është i saktë, Shtëpia e Bardhë nën Donald Trump ka vendosur të ndërrojë kahun e thikës dhe të kryejë kësaj here vetë një sulm. Kjo gjë sigurisht duhet ta ketë bërë Putinin të mendohet. Por mos prisni që ai të dorëzohet me kaq. Atij i vjen rrallë në mendje ideja e tërheqjes taktike, sepse me këtë do të tregonte dobësi. Putin e merr çdo gjë personalisht. Vëmendja, që do të sillte me vete një sulm i tillë nga Uashingtoni do të ishte poshtërim për të.

Megjithatë kjo nuk do të thotë, që ai do të urdhërojë menjëherë trupat e tij kibernetike të kundërsulmojnë. Kreu i Kremlinit preferon një luftë asimetrike. Ai nuk kundërgodet menjëherë dhe asnjëherë me të njëjtat armë. Por megjithëse Donald Trump ia ka zënë vendin Putinit si kampion bote i pakalkulueshmërisë, vetë Putini e sheh veten si mjeshtër të surprizave gjeopolitike.

Çfarë synon Vladimir Putin?

Një qëllim i Putinit mund të jenë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë më 31 mars. Në vendin e aneksuar apo pushtuar pjesërisht nga Rusia, është edhe më e lehtë se në SHBA të shkaktosh kaos. Po ashtu aftësitë e Ukrainës për sigurinë në rrjet janë shumë më pak të zhvilluara se ato të Rusisë. Mund të priten lajme provokuese të rreme që kanë si objekt sektorin bankar apo qendrat e furnizimit.

Qëllim tjetër: Zgjedhjet e ardhshme europiane në maj. Edhe nëse partitë euroskeptike populiste do të bien pak në elektorat, Putin do të vazhdojë t’i mbështesë ato, po ashtu si edhe parti të majta besnike. Objektivi i tij: Një Parlament Europian që ndihmon në thellimin e hendeqeve brenda BE.

E të mos harrojmë Britaninë e Madhe: Në axhendën e Putinit me siguri mund të jetë edhe mbështetja e partisë laburiste të Jeremy Corbyn. Qëndrimet kritike të Corbyn kundrejt NATO-s apo gatishmëria për të dëgjuar argumentat e Moskës e bën atë një pasues të dëshiruar pas Theresa Mayt, pavarësisht si shkojnë punët me Brexit.

Putin mund edhe të testojë rezistencën e infrastrukturës së NATO-s në kahun lindor të saj në vendet balltike. Kushedi se për çfarë arsye, Moska beson, se aty është pika e dobët e NATO-s. Aty Putini e ka më të lehtë të tregojë muskujt.

Para, vrasje dhe lufta e ardhshme kibernetike

Qëllimi final do të jetë vetë SHBA. Kongresi me shumë gjasa do të vendosë për sanksione të reja kundër Rusisë. Në listë mund të jenë dy masa që duhet ta prekin Vladimir Putinin drejtpërdrejt. Fillimisht kongresi dëshiron që të gjitha ministritë e SHBA të bëjnë publike informacionet që kanë mbi shëndetin e Putinit. Përveç kësaj, kongresi pritet të kërkojë një hetim për vrasjen e kritikut të Kremlinit, Boris Nemcov nën drejtimin e SHBA. Nemcov u vra në shkurt 2015 shumë pranë Kremlinit. Autorët e dyshuar janë kapur dhe dënuar. Por se kush qëndron pas vrasjes dhe kush e dha porosinë për të mbetet e paqartë. Policia e kontrolluar nga Kremlini dhe drejtësia i kanë penguar hetimet deri më tani. Shanset që këtë ta zbulojë FBI-ja dhe CIA janë të vogla. Por thjesht përmendja e vrasjes gati barazohet me fajësimin e Putinit- Në të dyja rastet, Putini nuk ka rrugë tjetër, veçse të reagojë.

Një objektiv tjetër mund të jenë edhe zgjedhjet paraprake presidenciale në SHBA. Pritet që Rusia të ndërhyjë edhe në këto zgjedhje paraprake vitin e ardhshëm. Lufta e parë kibernetike e botës sapo ka filluar/DW.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme